
TIRANË- Të enjten, më datë 13 qershor është paralajmëruar një protestë. Lajmin e dha aktori dhe moderatori i emisionit "Piranjat", Florian Binaj. Gjatë emisionit, teksa diskutonte me përfaqësues të partive opozitare në vend lidhur me ligjin për taksën e profesioneve të lira, i kërkoi që t'i bashkoheshin në tubimin e organizuar. Protesta, e iniciuar nga "Piranjat", do të mbahen në orën 18.00, para Gjykatës Kushtetuese.
"Ne si Piranja, duke qenë se është një çështje që na shqetëson e duke parë që nuk ka pasur një organizim të pavarur për të protestuar kundër kësaj takse kemi vendosur të ftojmë në një protestë paqësore ditën e enjte në datën 13 qershor përpara Gjykatës Kushtetuese, të gjithë profesionet e lira që preken në të gjithë vendin, mbështetësit e tyre dhe partitë politike që përqafojnë këtë kauzë. Piranjat ju presin ditën e enjte në orën 18:00 përpara Gjykatës Kushtetuese. Njëherë të vetme shpenzojeni orën e pasdites për të kërkuar atë që ju është marrë pabesisht dhe ju demoralizon çdo ditë, ju humb shpresën dhe ju shtyn të ikni nga ky vend,"-tha aktori Binaj.
Nga 1 janari profesionistët e lirë do të tatohen 15% mbi të ardhurat e tyre. Shpenzimet për ata që nuk kanë mbajtur regjistër gjatë vitit të kaluar, do të llogariten duke hequr një referencë 30% mbi fitimin e gjeneruar. Por ky ligj është dërguar në Gjykatë Kushtetuese për t'u rrëzuar./ZËRI