Politikë

Shkarkimi i Veliajt/ Zbardhet relacioni i këshilltarëve të PS për Këshillin Bashkiak: Nuk po pranojmë akuzat, por...

Grupi i këshilltarëve socialiste u mblodhën dje (17 shtator) në selinë rozë, ku kanë miratuan propozimin për shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

zh.ll
Shkarkimi i Veliajt/ Zbardhet relacioni i këshilltarëve të PS
foto ilustruese

TIRANË- Këshilltarët socialistë në Këshillin Bashkiak të Tiranës përmes një projektvendimi që do të diskutohet më 23 shtator, të martën, kërkojnë shkarkimin e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Grupi i këshilltarëve socialiste u mblodhën dje (17 shtator) në selinë rozë, ku kanë miratuan propozimin për shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Në shkresën e vendimit, theksohet se mungesa e kryetarit në detyrë prej 3 muajsh për shkak të procesit penal, është arsyeja kryesore që e bën të nevojshme një udhëheqje aktive për kryeqytetin. Megjithatë, ata kërkojnë të sqarojnë se, kjo iniciativë nuk është pranim i akuzave ndaj Veliajt, por një domosdoshmëri ligjore dhe morale për t’i dhënë qytetit një drejtim të qëndrueshëm dhe efektiv.

R E L A C I O N

“PËR

PROPOZIMIN E SHKARKIMIT TË KRYETARIT TË BASHKISË TIRANË,

ERION VELIAJ”

Në vijim të mbledhjes së grupit të këshilltarëve të Partisë Socialiste, datë 17 shtator 2025, ora 17:00, kërkesa nr.31879 prot., datë 18 shtator 2025, është depozituar pranë Sekretariatit të Këshillit Bashkiak Tiranë.

Kërkesa e firmosur nga grupi i këshilltarëve, i referohet Ligjit 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, i ndryshuar, neni 62 gërma c, ku thuhet: “Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur: c) propozohet për shkarkim nga Këshilli Bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë”.

Në kërkesën e sipërcituar, nënvizohet fakti se nga data 10 shkurt 2025 jemi në kushtet në të cilat kryeqyteti nuk ka kryetarin e saj të zgjedhur dhe të mandatuar nga populli i Kryeqytetit për shkak të procesit penal dhe mohimit të së drejtës së tij të gjykimit në gjëndje të lirë. Qytetit të Tiranës me një zhvillim të pandalshëm ekonomik e social, i duhet një kryetar në detyrë, për ndjekjen e punëve, ndaj kjo ka nxjerrë si domosdoshmëri ndërmarrjen e iniciativës nga ana e grupit të këshilltarëve të majtë, për të nisur procedurat për shkarkimin e kryetarit aktual, si një detyrim ligjor, politik dhe moral ndaj qytetarëve, që kanë votuar për të patur një Tiranë më të zhvilluar, me më tepër shërbime cilësore dhe të denjë për të qenë kryeqyteti i Shqipërisë në fundin e rrugës së saj për të qenë pjesë e Europës.

Arsyet dhe nevoja e mësipërme nuk duhet të interpretohen si një pranim ndaj konstantimeve apo pretendimeve të procesit penal ndaj Kryetarit të zgjedhur me votë nga qytetarët e Tiranës, por krejt e kundërta. Anëtarët e Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak të Tiranës ngrihen në nivelin që qytetarët e Tiranës presin nga të zgjedhurit e tyre, atë të marrjes së vendimeve dhe dhënien e zgjidhjeve në dobi të interesit publik dhe atij qytetar.

Shkarkimi i Veliajt/ Zbardhet relacioni i këshilltarëve të PS
projektvendimi
Shkarkimi i Veliajt/ Zbardhet relacioni i këshilltarëve të PS
projektvendimi

Pas nisjes së procedurave nga Këshilli Bashkiak, do të jetë Këshilli i Ministrave që do të vendosë për shkarkimin e kryetarit të bashkisë. Pas kësaj, Veliaj do të ketë 15 ditë kohë ta ankimojë vendimin për shkarkim në Gjykatën Kushtetuese, pasi nëse Këshilli e shkarkon dhe Rama e firmos, ai ka të drejtë ta kundërshtojë. Në rast se Veliaj e çon kundërshtimin në Kushtetuese, procesi duhet të pezullohet dhe zgjedhjet për zëvendësimin e tij, të mos zhvillohen.

Si do të bëhet shkarkimi i Veliajt?

Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur:

a) kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve;
b) dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata;
c) propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.

Pika e fundit pritet që të jetë ajo që do të përdoret nga Këshilli Bashkiak për shkarkimin e Veliajt, që sërish do të duhet të çohet në kryeministri. Rama më pas duhet t’i propozojë presidentit mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por ky proces mund të zgjasë deri në 45 ditë.

Erion Veliaj mbahet nën masën e arrestit me burg që prej datës 10 Shkurt të këtij viti. Kryebashkiaku së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Në njoftimin e SPAK thuhet se çifti kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse (përmendur më sipër), të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI

Poll

MOS HUMB