Politikë

Socialistët e bëjnë fakt të kryer, të gjitha mbledhjet e komisioneve do të mbahen online

Të gjitha mbledhjet e parashikuara gjatë ditës së sotme, dhe në vijim, do të mbahen online

E.K
Socialistët e bëjnë fakt të kryer, të gjitha mbledhjet
Komisioni i Ligjeve

TIRANË- Ashtu siç paralajmëroi dhe kryeministri Edi Rama, nga mbledhja dyditore e qeverisë që u mbajt në Lezhë, të gjitha mbledhjet e komisioneve parlamentare tashmë kanë kaluar online, për të shmangur çdo skenar bllokimi nga opozita. Edhe pse ligji parashikon mbajtjen e mbledhjeve online vetëm në raste e emergjencash, kjo nuk i ka penguar socialistët që në mënyrë të njëanshme të marrin vendimin.

Opozita e ka filluar këtë sesion të ri parlamentar, njësoj siç e mbylli në fund të vitit të kaluar, me skenar kaosi për bllokimin e parlamentit. Kjo u reflektua dhe në seancën e djeshme në Kuvend, e cila sërish zgjati vetëm 13 minuta, pavarësisht se në Kuvend ishte i pranishëm presidenti Bajram Begaj dhe një pjesë e ambasadorëve të vendeve të BE-së.

Reforma Zgjedhore mbetet një prej prioriteteve të këtij sesioni parlamentar, e cila do të duhet të miratohet brenda këtij viti. Për këtë duket se kanë interes edhe ndërkombëtarët, të cilët kanë nxitur riaktivizimin e Komisionit për Reformën Zgjedhore, për të cilin ka konflikt mes dy grupimeve në PD, për postin e bashkëkryetarit. Zëvendësimi i Enkelejd Alibeajt me Oerd Bylykbashin ka qenë një prej kushteve që ka çuar dhe në radikalizimin e aksionit opozitar. Megjithatë edhe këtë herë Lulzim Basha ka nxjerrë asin e tij nën mëngë, që duket se është mbështetja e ndërkombëtarëve ndaj tij.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB