
TIRANË- Sesioni i ri parlamentar nisi mes kaosit dhe përplasjeve, në një seancë plenare që zgjati vëetëm 13 minuta. Socialistët votuan emërimin e Blendi Gonxhes ne ministrinë për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin dhe atë të Adea Pirdenit si ministre e Shtetit për Administratën dhe Anti-Korrupsionin me 73 vota pro. Me 72 vota pro u shkarkua dhe ministrja Elva Margariti. Betimi i Plrent Ndrecajt si deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë pasi zëvendësoi Arben Ahmetajn u bë mes ovacioneve e fishkëllimave.
Që në nisje të seancës, deputetët e kryedemokratit Sali Berisha u ngritën në këmbë dhe me pankarta në duar penguin zhvillimin normal të seancës. Foltorja u bllokua dhe deputetët nisën t’i binin bilbilave si dhe kërkuan që punonjësit e Gardës të nxirren jashtë. I pranishëm në sallë ishte dhe vetë kryeministri Edi Rama. Deputeti Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeajt mbërritën bashkë, ndërsa Berisha u fut live nga shtëpia ku ndodhet nën masën e sigurisë arrest shtëpie.
Dëshmitarë të këtyre përplasjeve u bënë Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Alastair King-Smith dhe ambasadori i Gjermanisë, Karl Bergner. Fjala e Presidentit Bajram Begaj për nisjen e sesionit parlamentar nuk u arrit të mbahej. Kreu i Shtetit ftoi mediat në Presidencë për ta dëgjuar fjalimin e tij.