
TIRANË- Socialistët nuk kanë ndërmend që të lëshojnë lehtë kolegen e tyre Olta Xhaçka, edhe pse ka dy vendime të Gjykatës Kushtetuese që nxisin Kuvendin, që të dërgojë në organin më të lartë të drejtësisë mandatin e ish-ministres. Edhe pse ka humbur pronën që parashikohej të ndërtohej në bregdetin e jugut nga bashkëshorti i saj Artan Gaçi, i cili mori edhe statusin e investitorit strategjik, Xhaçka duket se nuk do t’i humbasë privilegjet e karriges së deputetes, të paktën deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, nga të cilat na ndan më pak se një vit. Një gjë e tillë u konfirmua sot nga kreu i grupit parlamentar, Bledi Çuçi, i cili tha se Gjykata Kushtetuese nuk mund të imponojë qëndrimet e deputetëve, ata janë të lirë në vendimmarrjen e tyre, e madje nuk japin llogari mbi mënyrën se si votojnë.
“Çështja e raportit të parlamentit me Gjykatën Kushtetuese mendoj unë që është një raport që e përcakton qartë Kushtetuta, Gjykata ka autoritetin Kushtetues që të shfuqizojë çdo ligj, vendim, akt të marrë nga Kuvendi nëse ajo e gjykon që është në kundërshtim me Kushtetutën, në këtë aspekt ka pasur një vendim të GJK që ka shfuqizuar 2 vendime të marrë nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi nuk e diskutoi këtë vendim dhe e shfuqizoi, në rastin konkret është krijuar një paqartësi nëse do duhet që një deputet apo të gjithë deputet duhet të votojnë në formë të caktuar të detyruar jo nga vullneti i zgjedhësve apo jo dhe ky është një debat që nuk ka gjetur një trajtim as nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, përkundrazi GJK ka tentuar të krijoj një normë të re ligjore, por verifikon normat ekzistuese dhe fakti që një vendim i caktuar vjen për t’u miratuar në Parlament, dhe pastaj vullneti është krejtësisht sovran për ta votuar. I vetmi moment kur Kushtetuta e detyron deputetin të votojë, është kur i jepet e drejta opozitës për Komisionet Hetimore", tha Çuçi.
Ato këmbëngulin që çështja do duhet të çohet në Komisionin e Venecias, pavarësisht se një gjë e tillë u konsiderua e panevojshme pak ditë më parë nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.
“Nuk ka një vendim politik, ka një thirrje për të votuar si deputet dhe prandaj dua të vijë të interesi publik. Gjykata Kushtetuese e ka pasur instrumentin për të parë nëse ka konflikt interesi nga Olta Xhaçka dhe 1/5 e deputetëve e ka bërë këtë e ka çuar në GJK, prandaj duhet marrë një vendim nga Komisioni i Venecias”, shtoi Çuçi.
Për socialistët, kjo rezistencë nuk është frikë nga vendimi që mund të marrë Gjykata Kushtetuese.
“Nuk kemi frikë, jam i pavarur, do të votojë si të ma dojë mendja mua”, përfundoi kreu i grupit të PS. Në një vendim të datës 10 korrik, Gjykata Kushtetuese urdhëroi Kuvendin që të dërgojë menjëherë në “Kushtetuese” mocionin e deputetëve të opozitës për mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka. Në një dalje për mediat, kryetarja Holta Zaçaj, i kujtoi Kuvendit se vendimet e saj kanë efektet e forcës së ligjit dhe se asnjë institucion tjetër nuk mund t’i vërë në diskutim. Për këtë arsye, “Kushtetuesja” njofton Kuvendin se duhet të zbatojë vendimin e saj pa asnjë vonesë, por socialistët kanë vendosur që të mos tërhiqen.
Mocioni ndaj ish-ministres u ndërmor nga opozita në qershor 2022 pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi u shpall investitor strategjik dhe iu dha me vendim qeverie e drejta e përdorimit të brigjeve të detit para hotelit. Edhe pse prona në fjalë është tashmë subjekt i Prokurorisë së Posaçme, kjo nuk i bën socialistët që ta lënë në dorë të drejtësisë mandatin e Xhaçkës. /ZËRI