
TIRANË- Do të mbahet sot në Athinë takimi i shumëpërfolur i kryeministrit Edi Rama me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë prej vitesh në shtetin grek. Socialistët kanë bërë të gjithë përgatitjet për takimin që pritet të nisë në orën 11:00 dhe do të mbahet në stadiumin ‘Galatsi’, në sallën “Christmas Theater”.
Kreu i qeverisë pritet të mbërrijë në aeroportin “Eleftheros Venizelos” rreth orës 09:00 dhe për mbarëvajtjen e këtij takimi janë marrë masa të rrepta sigurie me qindra punonjës policie.
“Fjalimi i tij është planifikuar për në orën 11.30 dhe pritet të kthehet në Tiranë pasdite. Të paktën 2000 persona kanë udhëtuar nga Shqipëria drejt Greqisë gjatë ditës së djeshme për të ndjekur fjalimin e kryeministrit shqiptar në Klisto tou Galatsi”, shkruan protothema.
Takimi do të hapet me himnin kombëtar, ku do të ketë ngjyrime europiane dhe të Greqisë, vendi ku e mirëpret këtë takim. Me performancën e Noizyt, Ylli Bakës dhe Era Rusit do fillojë koncerti dhe në vazhdim Rama do u shpalosë bashkatdhetarëve të tij strategjinë dhe vizionin e tij për Shqipërinë e vitit 2030.
Rama do të shoqërohet në këtë takim nga një pjesë e kabinetit qeveritar, por edhe përfaqësues të mediave nga Shqipëria.
Pas përfundimit të takimeve, Rama do të pijë kafe me kolegët e tij në Galatsi, ndërsa në orën 18:00-19:00 pasdite do të shkojë në aeroport për t’u larguar nga Athina.
Rama në llogarinë e tij personale në Facebook ftoi shqiptarët që ndodhen në Athinë apo pranë kryeqytetit grek të marrin pjesë në tubimin që do të mbajë në Galatsi.
Kryeministri në postimin e tij foli për një “moment të rëndësishëm krenarie për të gjithë shqiptarët në Greqi”. Ftesa shoqërohet me një pamje nga Akropoli dhe flamujt e Shqipërisë dhe Greqisë.
Disa ditë më parë, Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha se vizita në Athinë e Ramës është e panevojshme, megjithatë shtoi se nuk mund ta pengojnë, pavarësisht thirrjeve të ndryshme që janë bërë nga grupe ekstremistësh. Pas Mitsotakis reagoi edhe Kryeministri Edi Rama, që theksoi se vizita e tij në kryeqytetin grek nuk ka lidhje me çështjet e brendshme të Greqisë, zgjedhjet për Parlamentin Europian apo ndonjë narrativë tjetër specifike që zgjon interesin e politikanëve grekë.
Kreu i qeverisë thotë se vizita e tij ka qenë e planifikuar prej kohësh dhe bëhet për t’u angazhuar me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit e për të ndarë me ta krenarinë e atdheut dhe vizionin “Shqipëria 2030”. Në ndryshim nga Greqia, Shqipëria ka qenë gjithnjë e hapur për takimet e politikanëve grekë, siç do të ndodhë edhe sot, ku kreu i opozitës fqinje, do të vijë dhe do të takojë komunitetit grek në jug të vendit tonë.
/ZËRI