
TIRANË- Për të tretën herë në 2 vite, të enjtën në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, deputetët do të vendosin për fatin e ish-ministres së Jashtme dhe asaj të Mbrojtjes, Olta Xhaçka! 2 ditë para votimit janë zbardhur të dy raportet, ai i maxhorancës dhe ai i opozitës. Në raportin publik, Partia Socialiste argumenton se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim, ndaj ia lë në dorë Kuvendit të vendosë se çfarë do të ndodhë me çështjen.
Tashmë janë zbuluar edhe pyetjet që maxhoranca socialiste do t’i drejtojë Komisionit të Venecias, për një opinion për përplasjen e kompetencave mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes.
PYETJET E MAXHORANCËS
- Bazuar në parimet e demokracisë parlamentare përfaqësuese, a mund të detyrohen deputetët që të votojnë në një mënyrë të caktuar?
- Nëse ka përjashtime të tilla, cilat janë ato dhe a kanë lidhje me rastin e mocioneve për pajtueshmërinë e mandatit të një deputetit? Cilat janë standardet për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit nga organet legjislative të shteteve të ndryshme dhe cili është roli i organit respektiv legjislativ në konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit?
-Mbi bazë të cilave standarde do të duhet të interpretohet raporti mes mandatit përfaqësues, jo detyrues që deputetët gëzojnë dhe rolit tyre si anëtarë të Kuvendit në rastin e shqyrtimit të mocioneve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit?
-Cili është roli i organit legjislativ lidhur me konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit në shtete të tjera dhe a ka një kontroll gjyqësor ndaj vendimmarrjes së tyre? Nëse po, në ç'raporte është kompetenca që organi legjislativ ka në këtë procedurë, krahasuar me kompetenën e gjykatës përkatëse?
-Cili prej këtyre organeve ushtron kontroll thelbësor të mocionit për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit? Cili është subjekti që legjitimohet që ta dërgojë cështjen në gjykatën e caktuar?
Ndërkohë që nga pala tjetër, opozita i mbetet qëndrimit se duhet të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, Por nga ana tjetër socialistët kanë kërkuar edhe mendimin e Komisionit të Venecias për një opinion për përplasjen e kompetencave mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetit.
Mocioni ndaj ish-ministres u ndërmor nga opozita në qershor 2022 pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi u shpall investitor strategjik dhe iu dha me vendim qeverie e drejta e përdorimit të brigjeve të detit para hotelit. Edhe pse prona në fjalë është tashmë subjekt i Prokurorisë së Posaçme, kjo nuk i bën socialistët që ta lënë në dorë të drejtësisë mandatin e Xhaçkës. Në korrik, herën e fundit që u votua për mandatin e saj, Xhaçka foli për sulm politik nga opozita dhe sulmoi mediat e gazetarët si; “inkuizitorë”, “gjobaxhinj” dhe “snajperistë”.
Çështja e mandatit të Xhaçkës ka krijuar një precedent në marrëdhëniet mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese, duke shmangur praktikën e mëparshme parlamentare, kur Kuvendi ka vendosur që të dërgojë për interpretim në gjykatë mandatet e deputetëve në rastet kur ndaj tyre ka pasur akuza apo indicie se kanë shkelur nenin 70 të Kushtetutës, që i ndalon ata të përfitojnë nga të mirat publike.
Ishte Gjykata Kushtetuese që doli në përfundimin se mandati i Olta Xhaçkës duhet të shqyrtohet pa vonesa dhe se deputetët janë të detyruar të votojnë e ta dërgojnë atë sa më shpejtë. Në daljet publike, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese ia bëri të qartë Kuvendit se nuk mund kurrsesi të vërë në diskutim fuqinë detyruese të vendimeve të saj./ZËRI
Raportin e keni të plotë më poshtë