TIRANË- Është zhvilluar me debate mbledhja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Deputetja e Partisë Demokratike Merita Bakiu ka kërkuar që në komision të thirren në një seancë dëgjimore ministri i Brendshëm Taulant Balla, ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu dhe ministri i Kulturës, Ekonomisë dhe Inovacionit Blendi Gonxhja. Seancën dëgjimore, Bakiu e kërkoi duke u nisur nga ngjarjet e fundit të ndodhura në afërsi të shkollave.
Merita Bakiu: Duke qenë se është folur për sigurinë në shkolla, dua të kujtoj se brenda një jave opinioni publik u trondit për të shtënat me armë në afërsi të një shkolle në Lezhë, si dhe humbjen jetës së një nxënësi në Fier. Për të gjitha këto duhet të bëjmë një dëgjesë me ministren e Arsimit, Manastirliu, ministrin Gonxhja për arsimin profesional dhe ministrin Taulant Balla për paketën e sigurisë në shkolla.
Ndërkohë bashkëkryetarja e Komisionit, deputetja socialiste Evis Kushi deklaroi se ministri Balla ka qenë i pranishëm në një seancë dëgjimore pak kohë më parë.
Evis Kushi: Ne kemi zhvilluar para pak kohësh një dëgjesë me z. Balla. Po ashtu mund të diskutojmë patjetër mundësinë për ta kryer dëgjesën dhe me ministren e Arsimit, dhe me ministrin e Ekonomisë dhe Inovacionit.
Po ashtu nuk munguan as “thumbat” mes demokratëve pas dakortësisë Bardhi-Çuçi për rikthimin e normalitetit të punimeve të Kuvendit./ZËRI