
TIRANË- Kryeministri Edi Rama, ka folur në lidhje me aministinë në burgje, për të cilën socialistët ende nuk kanë mundur që të gjejnë dakordësinë me opozitën. Rama tha se të gjithë deputetët do të duhet ta votojnë këtë ligj, pasi është një detyrim kushtetues i Kuvendit që të miratojë lehtësimin e barrës penale.
“Duhet t’i referoheni një deklarate të bërë nga ministria e Drejtësisë, atë duhet ta votojnë që të gjithë se nuk kanë ku shkojnë pa e votuar. Është një akt që siç bëjnë të gjitha vendet e civilizuara, jep mundësinë që shteti të ushtrojë detyrimin kushtetues për lehtësimin e barrës penale për të gjithë të dënuarit”, u shpreh Rama pas mbledhjes së Kryesisë.
Ndërkohë që Rama foli dhe për zhvillimet e brendshme në parti, dhe shtimin e anëtarëve të rinj në radhët e socialistëve.
“Në bëjmë takime të rregullta se jemi në proces shumë të thellë, për rienergjizimin e të gjitha qelizave të Partisë Socialiste. Siç e ndoqët edhe nga Asambleja Kombëtare, me çfarë kemi parë dhe realizuar deri tani, objektivi i 50 mijë anëtarësimeve të reja, është plotësisht i arritshëm. Është e domosdoshme që të fuqizojmë Partinë Socialiste, se është e vetmja forcë që ka përgjegjësinë reale për ecurinë e procesit të anëtarësimit”, tha mes të tjerave Rama përpara gazetarëve.
/ZËRI