TIRANË- Politologu Ermal Hasimja ka reaguar pas përfshirjes së emrit të tij në listën e kandidatëve të opozitës për garën në Bashkinë e Tiranës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hasimja shprehet se ndihet i vlerësuar për këtë propozim, teksa falenderon ata që mbështetën idenë e kandidimit të tij. Megjithatë, ai shtoi se një vendim do të merret vetëm në rast se bëhet një propozim zyrtar. Më tej, Hasimja shpreh vlerësimin e tij edhe për dy emrat e thërë përmendura në listë, Florian Haçkaj dhe Edlira Çepani, duke i konsideruar si kandidatë të shkelqyer për opozitën.
Postimi i plotë:
"Ndihem padyshim i vlerësuar që emri im është propozuar në listën e kandidatëve potencialë të opozitës për Tiranën dhe falenderoj ata që e kanë propozuar apo mbështetur idenë. Kur të marr (nëse marr) një propozim zyrtar do të mund të mendohem dhe të marr një vendim.
Më vjen mirë gjithashtu që dy emrat e tjerë në listë, Florian Hackaj dhe Edlira Cepani janë njerëz qe i vlerësoj maksimalisht dhe që do te ishin kandidatë të shkëlqyer për opozitën."
Partia Demokratike dhe aleatët në opozitë njoftuan këtë të mërkurë, 3 emrat si kandidatë të mundshëm dhe të gjithëpranuar për garën në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Tiranës. 3 emrat që kanë marrë dakordësinë e të gjithë aleatëve janë aktivistja Edlira Çepani, politologu Ermal Hasimja si dhe Florian Haçkaj, përfaqësues i diasporës, por ende nuk ka një vendim se cili prej tyre do të jetë kandidati zyrtar.
Zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës pritet të jenë një nga betejat më të rëndësishme politike. Por, ndërsa PD është në kërkim të kandidatit, presidenti Bajram Begaj ka edhe 24 orë për të shpallur dekretin për zgjedhje të parakohshme në 6 bashki, mes tyre edhe Tiranën./ZËRI
