TIRANË- Partia Demokratike dhe aleatët në opozitë kanë tashmë 3 emra si kandidatë të mundshëm dhe të gjithëpranuar për garën në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Tiranës. 3 emrat që kanë marrë dakordësinë e të gjithë aleatëve janë aktivistja Edlira Çepani, politologu Ermal Hasimja si dhe Florian Haçkaj, përfaqësues i diasporës, por ende nuk ka një vendim se cili prej tyre do të jetë kandidati zyrtar.
Gjatë ditës së sotme, dy negociatorët e mandatuar nga Sali Berisha, Belind Këlliçi dhe Ilir Alimehmeti zhvilluan takime me përfaqësuesit e partisë Mundësia, ku dhe është rënë dakord për kandidat përtej partive politike. Nga ky takim është rënë dakord gjithashtu që opozita të dalë me një kandidat të vetëm që do të sfidojë socialisten Ogerta Manastirliu në zgjedhjet e pjesshme që pritet të mbahen në Tiranë, pas shkarkimit të Erion Veliajt.
Pas takimit që patën me përfaqësuesit e Partisë Mundësia, Këlliçi dhe Alimehmeti u pyetën nëse do të jenë pjesë e garës për Tiranën, nëse zgjedhjet do të dekretohen pa pasur një vendim më parë nga Gjykata Kushtetuese për ankimimin e Erion Veliajt.
“Vendimi për pjesëmarrjen do të merret nga forumet e larta drejtuese të partisë”, u shpreh Këlliçi.
Edhe Alimehmeti ndau të njëjtin qëndrim, duke nënvizuar se çdo vendimmarrje do të vijë nga strukturat përkatëse brenda PD-së dhe në koordinim me aleatët opozitarë.
Alimehmeti shtoi se “Do t’ua lejojmë ekspertëve të diskutojnë për reagimin, Ne jemi për bashkimin e gjitha forcave të opozitës bashkë”.
"Ishte një takim pozitiv dhe produktiv për faktin që duhet të gjejmë një kandidaturë që të unifikojë të gjithë spektrin opozitar. Të gjitha partitë politike kanë një konsensus për të dalë me një emër që do të përballet me Ogerta Manastirliun, kandidaten që simbolizon Covid-in dhe vdekjen në kryeqytet dhe në mbarë vendin dhe ta mposhtim.
Dakordësia është arritur në parim për të gjetur një emër të tillë.
Kemi diskutuar emra të përveçëm dhe profilin që duhet të kemi për kandidatin.
Do të shqyrtojmë çdo emër dhe propozim që vjen me qëllimin e maksimizimit e votave dhe mbështetjes për kandidaturën që do të dalë në emër të opozitës së bashkuar", tha Këlliçi pas takimit.
/ZËRI