
TIRANË-Pas përfundimit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, fill pas vendimit të Gjykatës së Apelit për dënimin e deputetit Ervin Salianji më 1 vit burg, Gazmend Bardhi njoftoi se do të mblidhet Kryesia e PD-së. Gjatë mbledhjes u diskutua rreth aksionit të opozitës pas këtij vendimi për Salianjin. Vendimet e marra në mbledhjen e Grupit të PD-së do të diskutohen dhe miratohen në mbledhjen e Kryesisë që pritet të mbahet në orën 20:00.
Kreu i Grupit Parlamentar u shpreh se gjyqtarë janë në konflikt të hapur interesi dhe e konsideroi vendimin si një agresion ndaj opozitës dhe deputetëve të saj, apo ndaj çdo opozitari, që denoncon lidhjet e krimit të kësaj qeverie.
Gjykata e Apelit la sot në fuqi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Tiranës, që e dënoi deputetin e Partisë Demokratike me 1 vit burg, për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. Vendimi i sotëm i Gjykatë së Apelit i hap rrugë arrestimit të Salianjit, i cili pritet të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Salianji humb në mënyrë të menjëhershme mandatin e deputetit, për shkak se vendimi i Apelit ekzekutohet pa vonesa, edhe pse politikani demokrat, mund ta apelojë çështjen në Gjykatën e Lartë.
Neni 71, pika 2, shkronja dh, e Kushtetutës, thotë se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi. Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashin si dhe Ervin Salianjin. Në këtë mënyrë merr fund dhe karriera në ngjitje e Salianjit, i cili së fundi ishte caktuar drejtues politik i PD-së për qarkun e Elbasanit. Dënimi e pengon Salianjin që për 5 vitet e ardhshme të ushtrojë detyra publike./ZËRI