Politikë

Zjarri masiv në Krujë, Rama: U shmang një bilanc tragjik, vetëm një magazinë e shkrumbuar

Në reagimin e tij në platformën X, Rama tha se beteja e forcave operacionale me flakët ka përfunduar pa të lënduar dhe me vetëm një magazinë të shkrumbuar.

l.k
Zjarri masiv në Krujë, Rama: U shmang një bilanc tragjik,
Foto nga zjarri në Krujë dhe reagimi i Edi Ramës

KRUJË- Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka reaguar për situatën e vështirë të krijuar nga zjarri në Krujë. Në reagimin e tij në platformën X, Rama tha se beteja e forcave operacionale me flakët ka përfunduar pa të lënduar dhe me vetëm një magazinë të shkrumbuar.

Ai vlerësoi ndërhyrjen e zjarrfikësve, ushtrisë dhe policisë, të cilët, sipas tij, në kushtet e erës së fortë dhe pamundësisë për të ndërhyrë nga ajri gjatë natës, shmangën një bilanc që mund të kishte qenë tragjik. Rama ndau gjithashtu një mesazh të një banori të Krujës, i cili i shkruante kryeministrit se forcat operacionale po punonin si heronj.

“Ka përfunduar me vetëm një magazinë të shkrumbuar dhe asnjë banor të dëmtuar, një betejë e jashtëzakonshme me zjarrin në malin e Krujës, ku në praninë e erës dhe në pamundësinë e natës për të përdorur mjete zjarrshuajtëse nga ajri, trupat tona zjarrfikëse, ushtarake e policore u përballën me heroizëm e me aftësi të spikatur profesionale, duke shmangur një bilanc që mund të kishte qenë tragjik, siç fatkeqësisht po ndodh në vende të tjera të Europës në këtë verë përvëluese.

Respekt dhe mirënjohje për heronjtë tanë të vijës së zjarreve të këtij gushti sfidues, ku mbrëmë banorët e Krujës panë se nuk ishin vetëm në orët e tyre tejet të vështira, siç dëshmon edhe ky mesazh ndër disa që më dërguan mbrëmë në orët e natës:

‘Zoti Kryeministër! Ju lutem, zjarri po merr përmasa të mëdha në Krujë! Po punojnë si heronj, Zoti ua shpërbleftë... Por era po e përhap me më shumë shpejtësi. Nëse është e mundur për përforcime të tjera... Shteti është në këmbë i tëri’”, shkruan Rama.

Pas një mbrëmjeje të vështirë, situata me zjarret në Krujë është vendosur nën kontroll. Operacioni ka vijuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës. Në terren u angazhuan mbi 200 efektivë zjarrfikës dhe mbi 200 efektivë të Forcave të Armatosura./ZËRI

Poll

MOS HUMB