Aktualitet

Prej shtatorit, do të ofrohet dreka në shkollat 9-vjeçare në Tiranë

Deri më tani, ky program ofrohej vetëm në çerdhet dhe kopshtet, por së shpejti do të fillojë edhe në shkollat 9-vjeçare.

I.F
Prej shtatorit, do të ofrohet dreka në shkollat 9-vjeçare
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Për herë të parë në Tiranë do të ofrohet dreka për nxënësit e shkollave 9-vjeçare. Ky vendim pritet që të hyjë në fuqi në fillimin e vitit të ri shkollor, në shtator. Po ashtu, për prindërit që janë në punë dhe e kanë të pamundur të marrin fëmijët e tyre në momentin kur mbarojnë orarin e mësimit, tashmë ata mund të presin në ambientet e shkollës deri në orën 16:00 të pasdites. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili tha se ky projekt ka si synim të ndihmojë prindërit që janë në punë.

“Do vëmë në jetë dhe projektin më të ri të përbashkët mes qeverisë dhe bashkisë që në shkollat 9-vjeçare të fusim edhe ushqimin e drekës. Dhe të krijojmë mundësinë për të pasur më shumë komunitet në sensin më shumë jetë të përbashkët edhe sociale mes fëmijëve për të pasur më shumë aktivitete që prindërit në momentin që lënë fëmijën në mëngjes në shkollë të mos e kenë kokën mbrapa dhe të mos detyrohen pastaj, të merren vesh me njëri tjetrin, kush do e lëri punën për të shkuar për ta marrë fëmijën për ta çuar në shtëpi etj, etj, po të bëjnë punën e tyre me orë të plota dhe nga ana tjetër patjetër dhe për të lehtësuar nga pikëpamja financiare një pjesë të familjeve që nuk e kanë shumë të lehtë jetën e tyre të përditshme ekonomike”, tha Rama.

“Bashkë me Ogertën (Ogerta Manastirliu, ministrja e Arsimit) dhe skuadrat tona do të kemi takimin e parë që të hartojmë strategjinë dhe gjatë verës duam të marrim vendimet dhe në shtator Tirana do të jetë qyteti i parë në Shqipëri që nxënësit e shkollave 9-vjeçare do të kenë drekën të përfshirë dhe do të qëndrojnë deri në orën 4 pasdite”, tha kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Por, nuk ka më shumë informacione rreth zbatimit të këtij plani. Po ashtu, ende nuk është bërë me dije se nga cili instuticion ky projekt do të financohet. Deri më tani, dreka ofrohej vetëm në çerdhet dhe kopshtet./ZËRI

Poll

MOS HUMB