TIRANË-Izmir Smajlaj është shpallur president i ri i Federatës Shqiptare të Atletikës pas zhvillimit të zgjedhjeve të fundit, të cilat u mbajtën sot. Smalaj ishte kandidati i vetëm në garë, kjo pas tërheqjes së Taulant Stërmasit, i cili kishte ushtruar funksionin e presidentit të federatës deri para një muaji. Ai fitoi zgjedhjet me rezultat 1-0.
Në Asamblenë e Jashtëzakonshme Zgjedhore ishin të pranishëm përfaqësues të KOKSH dhe Zv Ministri i Sporteve, Endrit Hoxha. Izmir Smajlaj merr në këtë mënyrë një mandat 4-vjeçar për të drejtuar Federatën e Atletikës. Në këtë Asamble u votua edhe për kryesinë e Federatës së Atletikës e cila do të përbëhet nga Vaso Selenica, Emiljana Ciko, Gledis Hallunaj, Oltion Luli, Zhuje Bajko dhe Vladimir Gjonaj
Ndërkohë Luiza Gega e cila ishte kandidate për anëtare, nuk ka marrë votat e mjaftueshme. Rrjedhimisht nuk ka mundur të fitojë këtë pozicion në Federatën Shqiptare të Atletikës. Gega ka bërë një reagim të fortë në rrjetet sociale, ku u shpreh kundër Izmir Smajlaj, pasi sipas saj zgjedhjet janë manipuluar dhe se kandidatët duan fitoren në tavolinë. Ndër të tjera ajo shkruan se ka punuar dhe është përpjekur shumë këto muajt e fundit që diçka e tillë të mos ndodhte, por në fund asgjë nuk ndryshoi.
“Sot u mbajt Asambleja e Federatës Shqiptare të Atletikës, ku kandidati i vetëm për President ishte Izmir Smajlaj, pasi trajneri im u tërhoq. Ai nuk e ndjente më veten pjesë të gjithë pisllëqeve që po ndodhin, dhe këtë qëndrim e respektoj pa masë. Unë, pak kohë më parë, u përpoqa me të gjitha forcat që kjo situatë të mos shkonte drejt këtij drejtimi. E bëra sepse e dua atletikën me gjithë zemër. Ky sport është jeta ime i kam dhënë gjithçka, çdo ditë, për shumë vite me radhë. Por mesa duket, sot, forca e të paaftëve dhe intrigave është më e madhe se zëri i atyre që punojnë ndershëm. Gjithsesi, vendosa të kandidoj për anëtare të Kryesisë. Edhe pse pati përpjekje të hapura për të penguar klubet të më propozonin, një shoqatë vendosi të mos dorëzohej dhe më propozoi si kandidate. E dija mirë që nuk do të isha pjesë e Kryesisë — sepse ishte punuar fort që të mos ndodhte. Dhe për të qenë e sinqertë: nuk doja të isha pjesë e një drejtimi me njerëz që jo vetëm nuk e duan këtë sport, por për vite të tëra i kanë bërë dëm. Nuk kandidova për interesa personale. Doja të isha aty për të qenë zëri i një sporti që shpesh është përdorur për qëllime të gabuara. Shpesh është thënë se unë “sulmoj” Izmirin — por sot është e qartë se ai dhe të ngjashmit me të nuk i duan afër njerëzit që kanë dhënë realisht për atletikën. Unë nuk mund ta mbështes dhe nuk do të bëhem kurrë pjesë e një komuniteti që i bën keq asaj që unë kam kontribuar me zemër, me përkushtim dhe me sakrificë për kaq shumë vite. Jam e sigurt që e ardhmja do të jetë ndryshe. E vërteta nuk fshihet përgjithmonë, dhe sporti ka nevojë për njerëz të pastër dhe të përkushtuar,"- shkruan Luiza Gega./ZËRI