PORTUGALI- Ylli i Benfica, sulmuesi i majtë Andreas Schjelderup, i thirrur edhe për ndeshjet kualifikuese të Botërorit me Norvegjinë, ka pranuar se më 2023, në moshën 19-vjeçare, ka dërguar një video me përmbajtje seksuale ku shfaqeshin të mitur. Ai e bëri deklaratën në një postim në Instagram, duke pranuar përgjegjësinë dhe shpjeguar ngjarjen:
“Kam marrë një video të shkurtër dhe e kam dërguar te një mik pa u menduar mirë. Pashë vetëm disa sekonda dhe nuk e pashë si zhvillohej më tej. Miku më kujtoi menjëherë që ishte e paligjshme, kështu që e fshiva menjëherë”.
Tani 21-vjeçar, ai kërkoi falje publikisht: “Dua të kërkoj falje së pari ndaj personave të përfshirë në video, pastaj ndaj miqve, familjes, punëdhënësve, vendit tim dhe tifozëve që i kam zhgënjyer”.
Ai pranon mundësinë e një dënimi gjyqësor: “Jam akuzuar për këtë vepër, për të cilën ndoshta do të gjykohem dhe marr një dënim me kusht”. Presidenti i rikthyer, Rui Costa, e mbështeti: “Sigurisht që do ta mbështesim. Schjelderup ka marrë përgjegjësinë, veprimi nuk ishte me qëllim të keq”.