
SHBA- Adhuruesit e aktores Sydney Sweeney tani mund të blejnë ujin e banjës së saj me një sapun të prodhuar nga marka e larësve natyralë të trupit për meshkuj, "Dr. Squatch". Ylli i nominuar për çmimin Emmy, e cila u bë e famshme në serialin e HBO-së "Euphoria", u shfaq duke u zhytur në një vaskë teksa xhironte një reklamë për "Dr. Squatch" në tetor, duke frymëzuar lançimin e produktit të ri.
"Ju më kërkuat vazhdimisht ujin e banjës së reklamës për @drsquatch… kështu që ne e mbajtëm fjalën,"-shkroi Sweeney në mbishkrimin e një postimi të përbashkët në Instagram me kompaninë ku njoftohej lancimi i produktit. "Sydney's Bathwater Bliss" do të jetë i disponueshëm në faqen e internetit të Dr. Squatch për një kohë të kufizuar duke filluar nga ora 12:00 më 6 qershor dhe çdo sasi do të shitet për 8 dollarë.

Përshkrimi i produktit thotë se është një "kombinim perfekt i dy vendeve më të mira në planet: natyrës dhe vaskës së Sydney Sweeney".
Sipas kompanisë, sapuni është bërë me rërë, kripë deti dhe gjalpë shea...por edhe me ujin e banjës së akrores që është konsideruar si ingredienti "sekret".
Pse u prodhua?
“Pse? Sepse ju të gjithë nuk ndalonit së kërkuari,”- deklaroi kompania në një postim në Instagram të enjten. Kompania gjithashtu ndau disa "email-e të çmendura" që morën nga fansat që përfshinin kërkesa për ujin e banjës së aktores edhe për të ujitur pemët ose për ta përdorur si pika për sytë./ZËRI