
ITALI- Portieri i kombëtares shqiptare, ish-i i Lacios dhe Torinos, Etrit Berisha, dje u bë hero në Suedi. Ndaj “superfuqisë” së kampionatit vendas, Malmos, dje luajti finalen e Kupës së Suedisë me fanellën e Hakenit (BK Häcken). Gjatë lojës shqiptari e mbajti portën e paprekur dhe me rezultatin 0-0 për 120 minuta, skuadrat shkuan drejt penalltive.
Në pjesën e gjuajtjes së penalltive, Etrit Berisha ushtroi diktatin e tij, duke pritur dy të tilla dhe duke shënuar penalltinë e parafundit dhe vendimtare, që ia thjeshtoi shumë punën shokut të tij të skuadrës, Silas Andersenit, që e mbylli me rezultatin 2-4. Berisha priti penalltitë e Sead Haksabanoviçit dhe Busanelos. Te Hakeni, Berisha u rikthye pas shkëputjes nga futbolli i luajtur për më se një vit, që nga qershori i vitit të shkuar kur luante për Empolin.
Pas një karriere të gjatë në Itali, te Lacioja, Atalanta, Spali, Torino dhe Empoli, ku regjistroi 163 ndeshje, nga të cilat 49 pa pësuar gola dhe ku pranoi 209 gola në total, ai rikthehet në kampionatin prej nga e nisi në nivel profesionistesh me Kalmarin, në Suedi. Në kampionatin suedez, i cili për shkak temperaturash nis në muajin mars, në javë e gjashtë të kampionatit Berisha fitoi vendin e titullarit dhe prej atëherë ka luajtur pa u ndalur për 6 ndeshje të tjera, në 2 prej të cilave, 6-pikëshe, nuk ka pësuar gol. Ndaj AIK Gotenborgut mbajti edhe shiritin e kapitenit. Me sa duket, nuk ishte Sali Berisha, një tjetër Berishë ai që ia doli të bënte një rikthim epik./ZËRI