
FRANCË-Në Paris vijon turneu i madh “Roland Garos”, Grand Slemi i dytë i vitit, që zhvillohet në fushat me dhe të kuq. Dje u zhvilluan disa ndeshje të raundit të dytë, ku emra të njohur si Holger Rune, Lorenco Museti dhe Karlos Alkarazi kaluan me sukses në të tridhjetedyshen e më të mirëve.
Museti dominoi ndaj kolumbianit Galan me sete 6-4, 6-0, 6-4. Alkarazi mposhti hungarezin Marozan me rezultat 6-1, 4-6, 6-1, 6-2. Ndërsa Rune eliminoi amerikanin Nava pa shumë vështirësi.
Sot, vëmendja është te italiani Janik Sineri, një nga pretendentët për titullin, i cili do të përballet me francezin Rishar Gaske.
Një tjetër përballje interesante do të jetë ajo mes britanikut Xhek Drejper dhe francezit Gael Monfin, që pritet të ndezë atmosferën në fushat e Roland Garos.
Në fushë do të zbresë sot edhe Novak Xhokoviç, rekordmeni i këtij sporti. Ai do të përballet me francezin Pjer-Ig Mytenë.
Turneu vazhdon me përballje të zjarrta, ndërsa rruga drejt finales së madhe më 8 qershor ka nisur të bëhet gjithnjë e më e vështirë e më sfiduese. Kampioni në fuqi, fituesi i këtij Grand Slemi në vitin 2024 është Karlos Alkarazi./ZËRI