
TIRANË- Përballja e kombëtares kuqezi me Italinë pati dy momente kulmore, goli i Nedim Bajramit në sekondën ’23 që theu rekord duke hyrë në historinë e Kampionateve Evropiane dhe ulja e kokës nga shkodrani Elseid Hysaj që bëri që topi të përfundonte për herë të dytë në rrjetën e Thomas Strakoshës. Nëse për Bajramin sekondi i golit bëri që ai të kthehej në kryefjalë në mediat ndërkombëtare dhe jo vetëm, për Hysajn ishte totalisht e kundërta.
Ky sekond u kthye në ferrin e përditshmërisë së tij, pasi ulja e kokës së Hysajt i mërziti shqiptarët më shumë se vetë humbja e Shqipërisë. Askush nuk mund të thotë që ulja e kokës në atë çast nuk ishte thelbësore për golin e dytë që pësoi kombëtarja, por nuk mundemi as ta dimë që nëse Hysaj nuk do ta ulte kokën, ndeshja do të mbyllej me barazim.
Por, si për diasporën shqiptare që kishin prerë biletat nga anëmbanë bota për të qenë në Dortmund atë ditë, ashtu edhe për shqiptarët që e panë ndeshjen nga lokali i lagjes, shkaku i kësaj humbjeje ishte vetëm një person: Elseid Hysaj.
Për një çast të vetëm, shqiptarët harruan çdo kontribut të futbollistit që ka firmosur me Napolin për 5 milion euro duke u kthyer në lojtarin e dytë shqiptar më të kushtueshëm në botë, pas Lorik Canës, dhe e shpallën atë ‘armik të popullit’.
Të njëjtët qytetarë që nuk kanë guxuar të ngrihen për padrejtësitë që u kanë kushtuar largimin nga Shqipëria, që nuk kanë dalë nga shtëpitë për të protestuar kur të drejtat e tyre janë baltosur e shkelur me këmbë, kanë dy ditë që shfrenojnë fantazinë me ‘meme’ në rrjet, duke e kthyer në objekt talljeje atë çast debulese të futbollistit dhe madje duke i kërkuar që të largohet nga kombëtarja.
Ofendimet kanë qenë të panumërta, duke nisur nga sulme të drejtpërdrejta për të si lojtar, sharje, shënjestrime e tallje, e duke u mbyllur me analiza loje nga persona që nuk kanë asnjë lloj lidhjeje me futbollin që e detyruan Hysajn të mbyllte rrjetet sociale.
Shqipëria tashmë e ka një trajner dhe ai është Sylvinho, braziliani që para një viti erdhi në Tiranë si kreu i pankinës së Kombëtares Kuqezi. Si pasojë e këtij vendimi, për 18 muaj, është Sylvinho ai që pozicionon lojtarët në fushë dhe përsa kohë i është besuar ky mision, atëherë duhet të ketë një arsye se përse Hysaj u vendos në mbrojtje.
Por më shumë sesa një çështje futbolli, lojë sportive që dhuron emocion dhe adrenalinë, përmasat e zhgënjimit janë kthyer në një mundësi për të ushtruar gjuhën e urrejtjes e për të përdhosur imazhin e një futbollisti, më i vjetri aktualisht në ekipin kombëtar.
Komente, statuse e komente të tilla, do të duhet të bënin bashkë njëzëri shoqërinë për të dënuar histerinë e reagimeve, e për të dhënë një shembull që futbolli është më shumë se 90 minuta. Për këtë duhet të ndryshojë mentaliteti i mbushur me urrejtje dhe të gjithë duhet të kuptojmë, përse flasim, shkruajmë, sa arrijnë fjalët tona të dëmtojnë personin për të cilin shkruajmë dhe fundja, a duhet të masakrojmë këdo e gjithçka?
A ia vlen?