
ITALI- Dy modele italiane synojnë të padisin fëmijët e Silvio Berlusconit për 3 milionë euro, pasi ata vendosën t'i ndërpresin pagesat mujore. Padia vjen pasi fëmijët e Silvio Berlusconit do të ndërpresin ndihmën mujore financiare që manjati u kishte caktuar 20 vajzave të reja, të cilat merrnin pjesë në festat e tij private, të njohur si “Bunga Bunga”.
Modelet duhet të kthejnë apartamentet para datës 31 dhjetor, ndërsa humbasin edhe pagesën mujore prej 2500 eurosh të dhënë nga Berlusconi në të gjitha vitet e mëparshme. Si duket vendimi i fëmijëve të Berlusconit, nuk është pritur aspak mirë nga dy prej ish të dashurat, të cilat deklaruan se nuk do të respektonin vendimin e trashëgimtarëve, ku njëra prej tyre i akuzoi edhe për “fyerje të kujtimit të babait të tyre”.
Alessandra Sorcinelli, është zotuar të luftojë vendimin dhe thotë se ka udhëzuar avokatët që të ndërmarrin veprime ligjore kundër trashëgimtarëve të Berlusconit. Sorcinelli këmbëngul se ashtu si modelet e tjera magjepsëse, kërcimtaret dhe aktoret që u përfshinë në festat bunga bunga, ajo pësoi dëme të pariparueshme në imazhin e saj dhe meriton ndihmën financiare. Po ashtu edhe Barbara Guerra, përmes avokatëve të saj, nënvizon se në një bisedë telefonike, Silvio Berlusconi e kishte siguruar se vila ku ajo jeton, në të ardhmen mund të bëhet pronë e saj.
“Kontrata daton në vitin 2015 dhe nuk ka datë skadimi. Është pjesë e marrëveshjes që kryeministri nënshkroi për mua dhe Barbara Guerra e cila i referohet një shume parash për të na kompensuar dëmin që pësuam. Ajo arrin në tre milionë euro”, tha Sorcinelli për gazetën Corriere della Sera të dielën.
Kujtojmë se skandalet e "Bunga Bunga" shkaktuan tre gjyqe penale dhe ishin një faktor kyç që detyroi Berlusconin të jepte dorëheqjen si kryeministër në vitin 2011.