
Lojtarët me kartonët më të shtrenjtë në tregun e futbollit, që mund të largohen falas, pa u sjellë asnjë qindarkë klubeve të tyre këtë verë, janë me dhjetra. Me kartonët më të shtrenjtë, sipas transfermarkt, janë Arnoldi i Liverpulit, Salahu i Liverpulit, Dejvidi i Lilës, Saneja i Bajernit të Mynihut, Tahu i Leverkusenit, Van DIjku i Liverpulit, Anguisaja i Napolit, Boskalji i PSV Eindhovenit, De Brujne i Sitit, Miçeli i Kristal Palasit.
Në këtë listë, që mund të largohen me zero ose mund të rinovojnë nga zero me kushte të reja me klubet e tyre, gjejmë edhe emra gjigantësh në perëndim të karrierave të tyre, Nejmari, Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldoja në moshën 40-vjeçare. Lista është e gjatë me lojtarë të tjerë simpatikë: Lakazeti, Zhorzhinjoja, Dajeri, Dejvisi, Shari, Hjuxhsi, Kolasinaçi, Lindelofi, Adama Traoreja dhe Semedoja.
Për dhjetë të parët, me kartonët më të shtrenjtë, merkatoja zjen nga skuadrat që interesohen dhe ofrojnë për ta:
Trent Aleksander Arnoldi, mbrojtësi i djathtë ‘’i fiksuar’’ për të fituar Topin e Artë, është drejt kalimit te Reali i Madridit. Sezonin e fundit, në moshën 26-vjeçare, ka luajtur 39 ndeshje, ka shënuar 3 gola dhe 7 asiste.
Ylli tjetër i Liverpulit, lojtari më i mirë i sezonit 2024/2025, me 43 ndeshje, 32 gola dhe 22 asiste, egjiptiani Salah, është në mes të rinovimit (gjë për të cilën klubi i Liverpulit shprehej optimist në faqen e vetë), Paris SG-së dhe largimit në Arabinë Saudite. Dejvid Ornsteini i ‘’The Athletic’’ konfirmoi se rinovimi te Liverpuli është më i munduri ndër opsionet në diskutim.
Xhonatan Dejvidi i Lilës, sulmues, 25-vjeçar, 41 ndeshje, 23 gola dhe 10 asiste këtë sezon, prej kohësh ka vëmendjen e Mançesterit të Junajtid të interesuar për sulmues dhe të Arsenalit të Londrës, por ai vetë ka dhënë sinjale se e sheh veten më mire në ‘’La Liga’’.
Lerua Saneja i Bajernit të Mynihut, 29-vjeçar, 35 ndeshje, 9 gola dhe 4 asiste këtë sezon, ka hapur një garë tredhëmbëshe mes Arsenalit, Junajtidit dhe Liverpulit. Liverpuli, nëse firmos me Salah mund të tërhiqet, por Junajtidi dhe Arsenali mund të jenë më të vendosur.
Qendërmbrojtësi Tah i Bajer Leverkusenit të Alonsos, po ashtu do të jetë i lire këtë verë. Deri më tani ka luajtur 40 ndeshje, 2 gola dhe 1 asist. Bajerni i Mynihut e do, ndërsa lojtari pëlqen Çelsin. Junajtidi vijon ta ruajë.
Virgjil Van Dijku, 33-vjeçar, është mes rinovimit me afat të shkurtër, ose largimit drejt Arabisë Saudite. Edhe emri i PSG-së përflitet për një ndër qendërmbrojtësit më të mirë të futbollit, që ka luajtur 41 ndeshje, 3 gola dhe 1 asist.
Frenk Anguisaja, kamerunezi 29-vjeçar i Napolit, 31 ndeshje, 5 gola, 3 asiste, ka opsionin e nënshkrimit për 2 vite me pëlqim dypalësh, por nuk përjashtohet mundësia e largimit të tij drejt Premier Ligës: Njukasëll Junajtid.
Një lojtar shumë i kërkuar, për të cilin Interi dhe Borusia e Dortmundit kërkuan informacione që në janar, është francezi i qendërmbrojtjes së PSV-së, Oliver Boskalji, që ka luajtur 36 ndeshje dhe ka shënuar 1 gol e 5 asiste këtë sezon.
Kevin De Brujni është po ashtu një yll, që mendohet se do të largohet në MLS-në amerikane te San Diegoja nga Mançester Siti.
I dhjeti në këtë listë të transfermarkt është Tajrik Miçeli i Kristal Palasit, 33 ndeshje të luajtura, 4 asiste. Atletikoja e Madridit, Totenhami, Barcelona e sidomos Milani po provojnë ta bindin për t’I marrë shërbimet./ZËRI