TIRANË- Kombëtarja shqiptare rikthehet sonte në fushë për ndeshjen e katërt të grupit në Ligën e Kombeve teksa në stadiumin 'Air Albania' pret San Marinon. Sfida nis në orën 20:45 dhe për kuqezinjtë objektivi nuk lidhet vetëm me tri pikët, por edhe me një fitore sa më të thellë pasi golavarazhi mund të ketë peshë në garën për kreun e grupit.
Pas humbjes ndaj Finlandës, Shqipëria kërkon të reagojë përpara tifozëve të saj. Në të njëjtën kohë kuqezinjtë do të ndjekin edhe rezultatin e përballjes tjetër të grupit Bjellorusi-Finlandë.
Trajneri Rolando Maran pritet të bëjë disa ndryshime në formacion duke i dhënë skuadrës një qasje më sulmuese. Në portë pritet të startojë Mario Dajsinani, ndërsa prapavija mund të përbëhet nga Berat Gjimshiti, Marash Kumbulla dhe Mario Mitaj. Në mesfushë priten Ylber Ramadani dhe Kristjan Asllani, me Stavro Pilon dhe Myrto Uzunin në krahë.
Në repartin ofensiv Maran pritet të mbështetet te Ernest Muçi dhe Arbër Hoxha, ndërsa Rey Manaj do të jetë pika kryesore në majën e sulmit. Formacioni i mundshëm është raportuar me ndryshime nga porta deri në fazën sulmuese.
Sulmuesi doli në konferencën për shtyp një ditë para sfidës, ku së bashku me Maran nënvizuan se kuqezinjtë duhet të kenë kujdes.
“Kur dëgjoj të thuhet ndeshje e lehtë më vijnë drithërimat sepse mund të ketë ndeshje më pak impenjative, por kurrë të lehta. E pamë këtë edhe në ndeshjen e parë me San Marinon kur ulëm ritmin” tha Maran.
“Me shumë gola të bëjmë, më shumë do të jemi të lumtur. Duhet të futemi në fushë fortë, të zhbllokojmë ndeshjen që nga fillimi. Mos të harrojmë ndeshjen kundër Andorrës. Edhe pse ata ishin rival më i dobët se ne, i bëmë gol vetëm në minutën e 80-të. Gjëja kryesore është të sulmojmë fort që në 20 minutat e para. Pastaj ishalla të shënojmë sa më shumë gola, në krahasim se sa kanë bërë ekipet e tjera karshi San Marinos u shpreh Manaj.
Aktualisht Shqipëria mban vendin e dytë në grupin e Ligës së Kombeve me 6 pikë, 1 më pak se Finlanda kryesuese dhe 2 më shumë se Bjellorusia e vendit të tretë. Për duelin kundër San Marinos UEFA ka caktuar arbitra turq, me kryesor Mehmet Turkmen./ZËRI