Ekonomi

Tirana prodhon gati gjysmën e ekonomisë shqiptare, Kukësi në fund të renditjes së PBB-së për frymë

Konkretisht kryeqyteti zë 46.94% të prodhimit të përgjithshëm ekonomik të Shqipërisë.

M.K.

 

Tirana prodhon gati gjysmën e ekonomisë shqiptare, Kukësi në
FOTO NGA TIRANA

TIRANË- Ekonomia shqiptare vijon të karakterizohet nga një përqendrim i lartë në kryeqytet, ndërsa diferencat mes qarqeve mbeten të dukshme si në peshën që kanë në prodhimin kombëtar, ashtu edhe në të ardhurat ekonomike të llogaritura për banor. Të dhënat e INSTAT për vitin 2024 tregojnë se Tirana gjeneron pothuajse gjysmën e Produktit të Brendshëm Bruto të vendit, ndërsa Kukësi renditet në pozicionin e fundit për PBB- në për frymë.

Konkretisht kryeqyteti zë 46.94% të prodhimit të përgjithshëm ekonomik të Shqipërisë. Kur shifrat analizohen në nivel rajonal, dominimi i Qendrës bëhet edhe më i dukshëm, me 52.87% të PBB- së kombëtare. Në të kundërt Veriu kontribuon me 21.68%, ndërsa Jugu me 25.45%.

Pabarazia shfaqet edhe në treguesin e prodhimit ekonomik për banor. Tirana kryeson me 1 milion e 556 mijë lekë PBB për frymë ndërsa Kukësi regjistron vetëm 568 mijë lekë. Diferenca mes dy qarqeve arrin në afro 988 mijë lekë për banor duke nxjerrë në pah hendekun mes kryeqytetit dhe qarqeve me performancën më të ulët ekonomike.

Pas Tiranës renditet Durrësi me 1 milion e 152 mijë lekë i ndjekur nga Fieri me 1 milion e 34 mijë lekë. Në skajin tjetër të renditjes përveç Kukësit vlerat më të ulëta regjistrohen në Dibër dhe Berat përkatësisht me 610 mijë dhe 613 mijë lekë për frymë.

Dallimet nuk kufizohen vetëm te pesha ekonomike, por shfaqen edhe në ritmin e rritjes. Në vitin 2024, ekonomia shqiptare u zgjerua me 4.03%, por performanca ndryshon ndjeshëm nga një qark në tjetrin. Tirana regjistroi rritje prej 7.08%, ndërsa Shkodra vetëm 0.19% dhe Dibra 0.27%.

E njëjta tendencë vihet re edhe në ndarjen rajonale. Qendra shënoi rritje ekonomike prej 6.43% dukshëm më të lartë se Jugu me 1.31% dhe Veriu me 1.60%.

Edhe struktura e aktivitetit ekonomik ndryshon sipas rajoneve. Në Veri, bujqësia mbetet aktiviteti kryesor, ndërsa në Qendër peshën më të madhe e ka ndërtimi. Në Jug gjithashtu bujqësia përbën një nga aktivitetet kryesore ekonomike. 

Të dhënat tregojnë se rritja e ekonomisë shqiptare nuk shpërndahet në mënyrë të njëtrajtshme në të gjithë territorin. Ndërsa Tirana vijon të përqendrojë pjesën më të madhe të prodhimit dhe të regjistrojë ritmin më të lartë të rritjes, disa qarqe të tjera mbeten ndjeshëm më poshtë në treguesit ekonomikë.


PBB sipas rajoneve: 

Rajoni Veri                 21.68%

Rajoni Qendër            52.87%

Rajoni Jug                   25.45%

PBB për frymë sipas rajoneve: 

Tiranë                                   1.556 mijë lek

Durrës                                   1.152 mijë lek

Fier                                         1.034 mijë lek

Vlorë                                      988 mijë lek

Gjirokastër                              877 mijë lek

Shkodër                                  777 mijë lek

Lezhë                                       723 mijë lek

Korçë                                       686 mijë lek

Elbasan                                     652 mijë lek

Berat                                        613 mijë lek

Dibër                                        610 mijë lek

Kukës                                      568 mijë lek

Ndarja e aktivitetit ekonomik sipas rajoneve:  

Veri            Bujqësi

Qendër      Ndërtim

Jug             Bujqësi./ZËRI

MOS HUMB