TIRANË- Përfaqësuesit amerikanë të Zyrës së Zhvillimit, Asistencës dhe Trajnimit të Prokurorisë Jashtë Shtetit (OPDAT) janë rikthyer në Prokurorinë Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), thuajse një muaj pas urdhrit të presidentit të SHBA-ve Donald Trump për të ngrirë fondet e USAID për 90 ditë për vendet e huaja.
Në ambientet e SPAK kanë shkuar prokurorët, të cilët kanë qenë me mision në Shqipëri dhe kanë punuar me Reformën në Drejtësi. Në ditën e tij të parë në detyrë më 20 janar, Presidenti Donald Trump vendosi një ngrirje të fondeve që jep Amerika për vendet e tjera.
Trump caktoi 90 ditë kohë që instancat të kontrollonin se ku dhe për çfarë jepen fondet e nëse ishin në koherencë apo jo me parimet dhe vlerat amerikane. Edhe në Shqipëri erdhi një listë me të gjitha institucionet që do t'u ndërpritej përkohësisht burimi i të ardhurave nga Amerika dhe mbi 50 ekspertë amerikanë u larguan nga Tirana. Ata ndërprenë punën dhe dorëzuan pajisjet e zyrën. Ekspertët ishin rekrutuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ambasada, të cilët kishin si mision të ndihmonin gjyqtarët e lartë. Nga Tirana u larguan edhe ndihmësit në KLGJ, KLP, SPAK, si dhe ndihmësit ligjorë në Gjykatën e Apelit./ZËRI