“La Guerre” – “Lufta” ishte festa që solli në Shqipëri Luis Miguel Varela Mendez një 21-vjeçar me kombësi portugeze. Një festë e përjavshme në nder të kulturës franceze zhvillohet çdo të hënë në ambientet e kompleksit Principote, në zonën e klubit El Coya. Principote është një kompleks luksoz buzë detit, në Rivierën shqiptare, përballë “Tre Ishujve” në Ksamil. Një plazh privat në ujërat e Jonit, ndër zonat më të shtrenjta dhe elitare të jugut, ku aksesi për shqiptarët është gjithnjë e më i vështirë, duke e kthyer këtë hapësirë në një destinacion ekskluziv të luksit. Mbrëmjen e djeshme, ashtu si çdo të hënë, “La Guerre” nisi me katër DJ të ardhur nga Franca posaçërisht për këtë natë. Mes të pranishmëve kishte edhe shumë shtetas francezë. Mes tyre ishte edhe viktima, një i ri vetëm 21 vjeç, i cili kishte zgjedhur Shqipërinë për të kaluar pushimet e tij dhe për t’i besuar asaj që njihet si një prej vlerave më të mëdha të shqiptarëve: mikpritjes.
Siç shihet edhe në pamjet e siguruara nga ZËRI, festa ka vijuar deri në orët e vona të natës, në kulmin e atmosferës së një nate gushti, pa e ditur askush se pak më vonë ajo do të përfundonte në një skenë tragjike. Sipas dëshmive të mbledhura nga ZËRI, gjithçka dyshohet se ka nisur pas një konflikti mes të riut dhe disa personave të tjerë, po me kombësi portugeze. Një vështrim, një fjalë më shumë për një vajzë shqiptare dhe debati është përshkallëzuar në përplasje fizike.
Kjo ngjarje është një nga episodet më të rënda të këtij sezoni turistik. Por ajo nuk prek vetëm çështjen e sigurisë në një prej destinacioneve më të frekuentuara të Rivierës shqiptare. Ajo prek diçka shumë më të thellë: thelbin e një prej vlerave me të cilat shqiptarët janë identifikuar ndër shekuj – mikpritjen.
Luis Miguel Varela Mendez erdhi në Shqipëri për të parë “Maldivet e Europës”, për të shijuar brigjet e Jonit dhe për të prekur nga afër një vend që prej vitesh e shet veten edhe përmes një prej virtyteve të tij më të njohura: mënyrës se si i pret të huajt.
Në traditën shqiptare ekziston një shprehje e famshme e Kanunit:
“Shpija e shqiptarit asht e Zotit dhe e mikut.”
Në traditën e vjetër shqiptare, i huaji që hynte në derën e një shtëpie nuk konsiderohej më thjesht një kalimtar. Ai bëhej mik. Dhe bashkë me mikun vinte edhe një përgjegjësi: ta mbroje, ta nderoje dhe të siguroje që të dilte i gjallë e i paprekur nga dera ku kishte kërkuar strehim.
Kjo është ajo që e ka bërë mikpritjen shqiptare një nga historitë më të forta të këtij vendi. Por sot, një 21-vjeçar që erdhi në Shqipëri për të festuar, për të pushuar dhe për të njohur Rivierën, nuk do të kthehet më në shtëpi.
Një natë e quajtur “La Guerre” – “Lufta” – përfundoi realisht në një luftë, me një të ri të masakruar mbi shezlongët e një prej plazheve më luksoze të Shqipërisë.
Historitë me “cuba”, nga Rrjolli në Zvërnec e tashmë në Sarandë e Ksamil, nuk mund të bëhen normalitet i Rivierës shqiptare. Sepse mikpritja nuk është një slogan turistik. Dhe kur një mik vritet në derën tonë, pyetja është për të gjithë ne.
Çfarë po humbim dhe çfarë po fitojmë?
/ZËRI