TIRANË-Krijimi i shtetit bektashi në Tiranë pritet të zyrtarizohet në muajt e ardhshëm, shtator. Media franceze “Intelligence Online” raporton se drejtuesit e Urdhrit Bektashi kanë nisur përgatitjet për funksionimin e shtetit, i cili parashikohet të shtrihet në një territor prej rreth 11 hektarësh dhe është përshkruar si një “Vatikan mysliman”.
Drejtuesit po punojnë për krijimin e një monedhe, të quajtur “Bek”, e cila pritet të indeksohet me çmimin e arit. Gjithashtu, parashikohet lëshimi i pasaportave dhe ngritja e një rrjeti përfaqësuesish jashtë Shqipërisë.
Sipas Intelligence Online, përfaqësuesit diplomatikë do të veprojnë nën drejtimin e ambasadorit të përgjithshëm Kreshnik Grezda. Përfaqësuesi për Shtetet e Bashkuara është emëruar Christopher Hyland, ndërsa për Francën dhe Belgjikën është caktuar sipërmarrësi belg me origjinë shqiptare Hazis Vardar.
Media franceze shkruan se projekti i shtetit bektashi nuk po kufizohet vetëm te krijimi i një statusi të veçantë territorial në Tiranë, duke e përshkruar dhe si një Vatikan mysliman dhe një shtet që pritet të jetë më i vogli në botë në një shtrirje prej 11 hektarësh.
Më tej theksohet se bisedimet po shoqërohen edhe me përgatitjen e strukturave simbolike, diplomatike dhe të përfaqësimit ndërkombëtar. Gjithashtu edhe burimet pranë kryegjyshit botëror Haxhi Dede Edmond Brahimaj shtojnë se puna ka vijuar dhe se procesi ka hyrë në një tjetër etapë edhe pse miratimi në shtator i këtij shteti shihet me skepticizëm prej tyre.
Kryeministri Edi Rama në një intervistë për 'The New York Times' më shtator të 2024, zbuloi planin se do t'u japë anëtarëve të Bektashinjve, enklavën e tyre të stilit të Vatikanit si një mënyrë për të promovuar tolerancën fetare. Rama tha se qëllimi i shtetit të ri ishte të promovonte një version tolerant të Islamit me të cilin krenohet Shqipëria. Mikro-shteti i quajtur "Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi”, do të ketë kufijtë, administratën dhe pasaportat e tij.