TIRANË- Një megaoperacion është vënë në lëvizje nga autoritetet greke për kapjen e Alket Rizait, i cili nuk është kthyer në burgun e Domokos pas përfundimit të lejes së tij, ku duhej të paraqitej në orën 08:00 të mëngjesit të së hënës, 14 shtator, por nuk është kthyer në qeli pas përfundimit të lejes. Policia greke ka nisur kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e tij, por deri tani pa rezultat. Në kuadër të hetimeve është ngritur edhe dyshimi se Rizai mund të jetë larguar drejt Shqipërisë. Sipas informacioneve të mbërritura te autoritetet greke, gjurma e fundit e tij është lokalizuar në Greqinë e Veriut. Kjo ka ngritur dyshimet se prej andej mund të ketë kaluar ilegalisht kufirin drejt Shqipërisë. Por, deri më tani, kjo mbetet vetëm një pistë e pakonfirmuar. Vetëm një ditë para përfundimit të lejes për t'u rikthyer në burg, emri i Alket Rizait u raportua i lidhur me një ngjarje të rëndë të ndodhur më 13 shtator, ku u regjistruan të shtëna me armë zjarri dhe mbetën të plagosur dy persona. Sipas mediave greke, Rizai dyshohet se është personi që ka qëlluar me armë gjatë konfliktit. Pas ngjarjes, ai është larguar, ndërsa të nesërmen nuk është paraqitur në burgun e Domokos, ku duhej të kthehej pas përfundimit të lejes. Në këto rrethana, autoritetet greke e kanë shpallur zyrtarisht në kërkim, ndërsa vijojnë hetimet për vendndodhjen e tij dhe rrethanat e largimit.
/ZËRI