KOSOVË- Kryeministri Albin Kurti ka mbajtur fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, ku po zhvillohet seanca e jashtëzakonshme për çeshtjen e presidentit. Që në nisje të fjalës, Kurti fajësoi opozitën për bllokimin e Kuvendit. Kryeministri shtoi se vendi ndodhet në fund të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se, dështimi e çon e vendin në zgjedhje të reja.
"Sot kemi mbërritur në fund të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Republikës. Zgjedhja e presidentit është vendimtare për vazhdimin e funksionimit me kapacitete të plota të qeverisë, të Kuvendit dhe të institucionit të presidentit. Dështimi në zgjedhjen e presidentit e çon vendin në zgjedhje të reja...Akuzat se VV ikën nga përgjegjësia nuk janë të vërteta. Nuk ka pasur as në mars të vitit 2021, as në shkurt të këtij viti, asnjë vonesë, asnjë ngurrim dhe asnjë shmangie ën marrjen e përgjegjësive për të qeverisur. Kjo është e matshme dhe e verifikueshme.”, tha Kurti.
Gjatë fjalës së tij, Kurti akuzoi opozitën se nuk ka respektuar rezultatin e zgjedhjeve, ndërsa sot ka bojkotuar edhe seancën. Sipas Kurtit, opozita ka ngatërruar kompromisin me nënshtrimin, duke mos pranuar rezultatin.
“Rezultati i zgjedhjeve nuk mjafton vetëm të pranohet, rezultati i zgjedhjeve duhet të respektohet dhe respektimi i rezultatit nuk është nënshtrim, një term tjetër i keqpërdorur nga opozita në këtë sallë e jashtë saj. Nëse ka një nënshtrim, ai është ndaj verdiktit të qytetarëve, të cilët me votë kanë përcaktuar peshën e cilit subjekt politik, duke përcaktuar edhe sjelljen parlamentare. Pikërisht për shkak të keqkuptimit të fjalës “nënshtrim”, opozita kompromisin e kupton si nënshtrim të fituesit të zgjedhjeve. Kompromisi është marrëveshje që reflekton realitetin e mandatit zgjedhor duke u dhënë të tjerëve atë që u takon sipas peshës së tyre elektorale. Kompromisi i vërtetë, ai i cili u shërbën qytetarëve ndërtohet mbi dy shtylla të panegocioueshme, së pari mbi respektin për rezultatin e zjedhjeve, pra respektin e vullnetit të qytetarëve dhe peshës politike që ata i kanë dhënë secilit subjekt subjekt politik dhe së dyti mbi përgjegjësinë institucionale dhe demokratike e cila rrjedhë nga angazhimi publik dhe nga fakti se je përfaqësues i zgjedhur i popullit”, tha Kurti.