
TIRANË- Një 15-vjeçare është abuzuar seksualisht nga të paktën dy persona, pasi është detyruar që bashkë me dy mikeshat e saj të mitura të konsumojë lëndë narkotike. Ngjarja e rëndë raportohet të ketë ndodhur më 22 mars në Vlorë dhe është zbuluar pasi e mitura u ka rrëfyer gjithçka prindërve dhe pasi është dhunuar psikologjikisht nga i ati, janë paraqitur përpara autoriteteve për ta denoncuar ngjarjen. 15-vjeçarja ka rrëfyer se bashkë me një bashkëmoshataren e saj kanë shkuar në shtëpinë e një tjetër shoqeje, gjithashtu e mitur, 16 vjeçe.
Aty janë përballur me një 20-vjeçar të identifikuar si Serxhi Arifi. Por, në të njëjtën shtëpi, sipas dëshmisë së të miturës, janë futur edhe dy persona të tjerë, të cilët janë ftuar nga 16-vjeçarja, të identifikuar me inicialet R. R., 40 vjeç dhe F. Q., 33 vjeç. Këta persona kanë nxitur të miturat që të konsumojnë lëndë narkotike dhe më pas 20-vjeçari Arifi dhe 40-vjeçari me inicialet R.R., kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të miturën që denoncoi ngjarjen. Të dy abuzuesit dhe 33-vjeçari janë vënë në pranga, ndërsa autoritetet kanë proceduar në gjendje të lirë 16-vjeçaren dhe babain e të miturës së abuzuar.