
TIRANË- Nëse i përmend emrin nuk të vjen ndërmend ndonjë nismë ligjore që ai ta ketë nisur e çuar deri në fund, një nismë që tu ketë shërbyer banorëve të zonës që ai përfaqëson në Kuvendin e Shqipërisë. E kemi fjalën për Eduard Ndrecën, deputetin socialist që sot u bë kryefjalë në të gjitha mediat e vendit pas ndalimit të të vëllait, Armando Ndreca, nga Policia e Shtetit.
Vetëm pak orë pas aksionit që zbuloi stanin e kthyer në shtëpi bari, Eduard Ndreca u pa të hynte i qetë në Kuvend dhe të zinte vendin e tij. Pranë tij shkoi dhe Plarent Ndreca dhe të dy u panë teksa diskutonin. Të ketë qenë vallë diskutimi mbi të vëllanë që po jepte llogari para drejtësisë? Me siguri që po.
Megjithatë, reagimi i tij zyrtar nuk vonoi. Në një reagim për Birn, Eduard Ndreca e ‘lëshoi’ të vëllanë dhe madje u bëri thirrje autoriteteve që të bënin punën e tyre pavarësisht personit që kishin përballë.
Ai u fut si deputet nga lista shumëmërore e Partisë Socialiste dhe nga viti 2009 ka qenë Kryetar i Këshillit të Qarkut Lezhë.
Në vitin 2016 u zgjodh Kryetar i Partisë Socialiste të Rrethit Lezhë, ndërsa në vitin 2020 u rizgjidh kur në Lezhë i deleguar i këtij qarku Ministri i Brendshëm i asaj kohe, Sandër Lleshaj.
Historia ka treguar që politika dhe biznesi shkojnë shumë bashkë dhe Eduart Ndreca nuk ka bërë përjashtim nga ky rregull.
Duke shfrytëzuar ‘fuqinë’ e tij në zonën e Lezhës, ai ka nisur dhe të hapë biznese të vogla që aksesohen lehtësisht përmes një kërkimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Sot ka aktiv vetëm njërin prej tyre.
Aktualisht ka aktiv vetëm njërin prej tyre, në Ishull, Lezhë, në emër të të cilit ka regjistruar dhe një autoveturë. Subjekti i këtij biznesi është “Tregtim me pakice te artikujve te ndryshem”.
Konkretisht, vëllai i tij që sot po jep llogari përpara autoriteteve, Armando Ndreca zotëron një kompani me subjekt punime ndertimi dhe rikonstruksione të objekteve civile, që është aktive që prej vitit 2016.
Më herët, Armando Ndreca rezulton se ka pasur dhe një bar-restorant në aksin Lezhë-Shkodër, me emrin “VIVA VITA” që gjithashtu është pezulluar. Edhe kunati i Armando Ndrecës, Armel Nikdukaj ka pasur një bar kafe që aktualisht rezulton i çregjistruar. Të gjitha këto aktivitetejanë hapur e mbyllur gjatë kohës që Eduard Ndreca ka qenë në politikë, megjithatë nuk dimë të themi nëse kjo është një rastësi apo një shtysë për familjen Ndreca, duke qenë se të pasurit vëllanë deputet mund tu ketë dhënë siguri.
Vetëm dy vite më parë, vjehrri i Armando Ndrecës, Ramiz Nikdukaj u vu në pranga bashkë me dy persona të tjerë, Bashkim Kovaci 64 vjeç dhe Altion Luli 43 vjeç, të cilët u kapën gjatë operacionit “Syri i sheganit” në një shtëpi Bari në Koplik.
Në vitin 2022, në banesën e Nikdukajt u gjet një ambient i përshtatur për kultivim të narkotikëve, ku u sekuestruan 22 kg kanabis dhe 455 bimë të kultivuara në ambient me llamba, si dhe 245 bimë të mbjella në oborr.
Në atë kohë, djali i Ramiz Nikdukajt, njëkohësisht edhe kunati i Armando Ndrecës, Armel Nikdukaj, u arratis, por sot u prangos bashkë me vëllain e deputetit socialist dhe shokun e tij, Elvis Shpellzai 28 vjeç.
Armando Ndreca është ‘tradhëtuar’ nga një telefonatë që ka zhvilluar me kunatin e tij, e cila është përgjuar nga autoritetet, përmbajta e të cilës nuk dihet.
Vetë Armando Ndreca në dëshminë e dhënë para policies është shprehur se nuk ka lidhje me drogën e mbjellë.
Por, nga një vëzhgim në profilin e Armando Ndrecës në rrjetet sociale, vihet re se vëllai i deputetit bënte një jetë mes udhëtimeve në Dubai, shëtitjeve me deve dhe kazinove në Monte Carlo apo restorte të ndryshme.
Armando Ndreca nuk mban përgjegjësi për aktivitetin e kunatit Armel Nikdukaj, familje nga e cila ka zgjedhur gruan e jetës, Eduart Ndreca ia dha ‘dyja duart’ vëllanë drejtësisë duke i qëndruar të njëjtit version, duke na bërë të besojmë që në një rreth si Lezha, siç ndodh rëndom në të gjitha rrethet, nuk i dihet asgjë askujt dhe secili sheh vetëm brenda derës, kur në fakt rrjetet e tyre sociale ziejnë nga pushimet luksoze dhe me siguri sot më shumë se kurrë janë pjesë e bisedave që zhvillohen tryezave të kafeneve. Ndoshta në ato që zotëron vetë familja ka pllakosur heshtja për respekt të pronarit, por tek të tjerët e sigurtë që jo.
Megjithatë, ligjërisht vëllezërit Ndreca mund të ‘lajnë duart’, sigurisht nëse Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nuk heton pasuritë e vëna njëra pas tjetrës.
Po moralisht?
Deputeti socialist Eduard Ndreca e ka treguar që është një patriot i ‘flaktë’, pasi ndër gjërat e pakta të thena në Kuvend, ka kërkuar shpalljen e 2 marsit, dita e "Kuvendit të Besëlidhjes së Lezhës”, si festë kombëtare.
Ai e ka konsideruar këtë ditë si ngjarjen më të rëndësishme historike e vendit tonë dhe se brezat e ardhshëm duhet ta kujtojnë këtë ditë dhe të jenë krenarë për trashëgiminë historike shqiptare.
Dhe sigurisht qëndron, por a qëndron dot i ulur Ndreca në të njëjtën karrige që e ka marrë falë votave të atyre banorëve të cilëve u ka premtuar përmirësimin e jetesës, por e vetmja që u është kthyer mbrapsht janë serat e kanabisit?