
TIRANË- Debate, përplasje dhe lot; kështu mund të përmblidhet seanca që u zhvillua në GJKKO për Leonard Dukën dhe vrasjen e Santiago Malkos. Në sallë bashkë me Dukën, ishte edhe e ëma e viktimës, Santiago Malkos, e cila ka "shpërthyer" teksa është përballur me porositësin e vrasjes të së birit. Sipas të pranishmëve në sallë, teksa e ëma e Malkos e shante dhe fyente, nga ana e Dukës nuk ka pasur asnjë reagim. E vetmja që ka ndërhyrë ka qenë gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Në momentin që gjyqtarja Rudina Palloj i ka dhënë fjalën, Duka tha se kërkonte më shumë kohë që të njihej me aktet që përmban dosja e tij. Por kërkesën e të akuzuarit, prokurori Behar Dibra e cilësoi si të padrejtë, pasi kishin rënë dakord që i pandehuri të pyetej sot në sallën e gjyqit. Në këtë moment, ka ndërhyrë sërish mamaja e Santiago Malkos, e cila kërkoi dënim maksimal për porositësin e vrasjes të së birit.
Megjithatë, edhe avokatja e Dukës kërkoi shtyrje të marrjes në pyetje, duke theksuar se nuk ishin të përgatitur sot, kështu që Gjykata vendosi t’i jepet më shumë kohë që të përgatitej dhe më pas të jepte versionin e tij lidhur me ngjarjet për të cilat akuzohej. Para mbylljes së seancës, Duka ndërhyri edhe njëherë duke e akuzuar prokurorin Dibra sit ë “korruptuar”. Në fjalën e tij shkurt, ai shprehu shqetësimin se prokurori po kërkonte ta dënonte pa prova, duke shtuar se në fakt Dibra duhet të bënte detyrën pa u ndikuar nga krimi i organizuar.
Por edhe pse e akuzoi, nuk dha detaje të tjera. Seanca për Leonard Dukën është shtyrë për më 24 tetor në orën 12:30. Në fund të seancës, teksa të gjithë po dilnin nga salla, mamaja e Santiago Malkos u ngrit nga vendi dhe iu drejtua kafazit ku ndodhej Duka. Menjëherë ndërhyri sigurimi, për të shmangur ndonjë incident të mundshëm. Duke marrë parasysh tensionet në gjyqin e sotëm, nuk dihet nëse e moshuara do të lejohet që të marrë pjesë në takimin e datës 24 tetor.