
TIRANË- Katër muaj pas publikimit të dokumentarit “Narco Taxi” në kanalet e ZËRI-t, episodet e të cilit u panë qindra mijëra herë nga shqiptarët në rrjetet sociale, më në fund kanë sjellë edhe një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit. Në një kthim përgjigje për ZËRI-n, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, sqaron se çështja ka kaluar në Prokurorinë e Tiranës dhe se paralelisht Policia ka zhvilluar dy operacione, ku janë arrestuar 5 taksistë të përfshirë në shitjen e drogës. Nga ana tjetër, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit sqaron se Policia e ka ndjekur problemin dhe se Policia Rrugore ka ndërmarrë menjëherë pas dokumentarit një sërë kontrollesh në planin “Roadpol”, ku janë gjetur me shkelje 142 shoferë taksish. Shpresojmë që ky reagim i Policisë të shoqërohet me të tjera kontrolle. Vetëm disa ditë më parë, ZËRI raportoi sesi shoferi i Lux Taxi, kërcënonte një taksist individual për vendin e parkimit. Qytetarët denoncojnë nga ana tjetër për implikim të punonjësve të Policisë në lidhje me kompanitë e taksive. Sezoni turistik sapo ka nisur dhe sektori taksi është pararojë e shërbimit ndaj turistëve dhe vendasve, e për këtë duhet siguri dhe transparencë.