Video

'Follow the money'/ Kështjella miliona euroshe e Artan Gaçit

Gaçi, edhe pse po merrte fitime të kënaqshme nga kompania e farmaceutikës, krijoi kompaninë “AG.TÇ”, e cila do t’i shërbente për 2 raste investimesh të ish-deputetit socialist. E njëjta kompani ka marrë tokën në plazhin e Gjilekës në Himarë duke e kthyer Gaçin në investitor strategjik të vendit.

k.m;f.m
'Follow the money'/ Kështjella miliona euroshe e Artan
Olta Xhaçka dhe Artan Gaçi

TIRANË- Viti 2017 ndryshoi fatin e Artan Gaçit. Burri i deputetes së Partisë Socialiste, la politikën dhe veshi kostumin e biznesmenit kur e shoqja e tij, Olta Xhaçka po ngjiste me shpejtësi shkallët e karrierës si ministre.

Disa muaj pas zgjedhjeve të vitit 2017 krijoi “UniPharma”-n, në bashkëpunim me mikun e tij, Ilir Shehu, të cilit disa vite më parë, i doli emri si i përfshirë në një skemë mashtrimi me barna, ku ishte implikuar dhe një farmacist i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Farmacisti Isnih Bajrami merrte barnat e shtetit, të cilat duhet të ofroheshin falas për pacientët. Të sëmurëve u thoshte se barnat ishin në mungesë, por i siguronte se mund t’ua gjente ai “në të zezë”, kundrejt pagesës. Kështu, farmacisti zëvendësonte barnat e farmacisë shtetërore me barnat e skaduara të kompanive dhe ua shiste pacientëve, të cilët përveçse i mashtronte, u rrezikonte dhe jetën.

Në këtë skemë mashtrimi nuk kurseheshin as pacientët që duhet me patjetër të kryenin kimioterapi dhe çdo ditë luftonin me vdekjen.

Ilir Shehu ka qenë pjesë e listës të të gjobiturve të Autoritetit të Konkurrencës, pasi u zbulua se u kishte shitur shqiptarëve dezinfektantë dhe maska me vlerë tejkaluar çmimit normal gjatë koronavirusit.

Mashtrimet dhe abuzimet me çmimet nuk e ndalën biznesmenin, i cili me “MEDICAMENTA” ka marrë rreth 608 kontrata publike, me vlerë 910 874 907,65 lekë pa TVSH. Sigurisht që shumë tendera që mund t’i kenë marrë në bashkëpunim edhe me UniPharma, por të dhënat nuk janë të publike.

Kompania ka nisur në 2017 me humbje, 5.7 milionë lekë të vjetra. Gradualisht është rritur dhe në vitin 2022, ka fitim 760 mijë euro.

Pra nga minus, për 6 vite ka shënuar fitime marramendëse. Por si?

Gaçi, edhe pse po merrte fitime të kënaqshme nga kompania e farmaceutikës, krijoi kompaninë “AG.TÇ”, e cila do t’i shërbente për 2 raste investimesh të ish-deputetit socialist. E njëjta kompani ka marrë tokën në plazhin e Gjilekës në Himarë duke e kthyer Gaçin në investitor strategjik të vendit.

Në vitin 2020, Stavri Mëhilli shiti pronën tek kompania e Artan Gaçit për 120 milionë lekë të vjetra, dhe dy vite më vonë, Qeveria vendosi që t'i jepte në përdorim për 30 vite pronën në plazhin e Gjilekës, një kompanie amerikane. Paratë ndërkohë i kishte paguar Gaçi, por edhe me këtë kompaninë amerikane nuk ishin të panjohur. “AGTÇ Hotel Management” në regjistrin kombëtar të bizneseve rezultonte në pronësi të Taëni Lin Grzych-Sutton, nga Masaçusets i SHBA, por kishte dhe leje qëndrimi në Shqipëri. E reja nga Amerika është e dashura e vëllait të Olta Xhaçkës, bashkëshortes së Gaçit.

Artan Gaçi vendosi që të investonte sërish, kësaj here, pranë bashkëshortes. Ai ngriti një hotel të rrallë, përrallor në Leskovik dhe themeloi “Melesin”. Melesin nuk është një hotel restorant i thjeshtë.

Kushdo që kërkon për të, gjen shumë pak informacion. Mënyra e vetme për të rezervuar është “booking”, pasi ky hotel nuk është i reklamuar as në Instagram dhe në asnjë kanal tjetër social.

Pak e çuditshme kjo për një objekt të ndërtuar me qëllime biznesi e që do të duhet të kishte fokus klientelën.

Si ka mundësi që investohen kushedi sa para për të ngritur një biznes, të cilin e fsheh në një skutë, kur në fakt duhet të ndodhë e kundërta!

Këto pyetje, ende pa përgjigje rëndojnë mbi dyshen Xhaçka-Gaçi, ndërsa ZËRI iu ka dërguar disa herë një kërkesë për informacion, por deri në botimin e këtij shkrimi nuk kemi marrë një përgjigje.

Është e çuditshme pasurimi i të dyve, në një kohë kur në të dyja deklaratat e dorëzuara në ILDKPKI, çifti rezulton pa një pasuri të konsiderueshme që do të justifikonte ndërtimin e një hoteli me vlerë disa milionë euro.

Por teksa e gjithë vëmendja tashmë është mbi resortin që Gaçi është duke ndërtuar në Himarë, ku është deri më tani i përjashtuar nga dosja që çoi në arrestimin e Jorgo Goros, të gjithë jemi të habitur.

Si u pasuruan Olta Xhaçka dhe Artan Gaçi në këto vite?

Poll

MOS HUMB