
TIRANË- “Izmiri Shop” që ndodhet në rrugën “Myslym Shyri” dhe ka disa pika të tjera nëpër qendra tregtare, brenda të cilit mësyu një ditë më parë krimi ekonomik promovohej nga shumë personazhë publikë shqiptarë apo të njohur në rrjetin social “Tik Tok”. Pronari i biznesit Izmir Bengaj, 28 vjeç është shpallur në kërkim dhe nën hetim është e ëma, Donika Bengaj, 50 vjeç. Persona si Hatixhe Brika dhe bashkëshorti i saj Jashar Stojku, Sara Gjordeni, Fation Kuqari, Niko Komani dhe influencera të tjerë reklamonin dhuratat mijëra euroshe që merrnin nga ky biznes. Në faqen e Instagramit të “Izmiri Shop” është postuar një video së fundmi gjatë ditëlindjes së influenceres Hatixhe Brika, që ka marrë si dhuratë bizhuteri me vlerë 7 mijë euro. Po ashtu, në një video të mëparshme, ajo udhëton drejt dyqanit së bashku me bashkëshortin me helikopter. Goxha "luks" për një dyqan që shet bizhuteri argjendi. Në Instagram “Izmiri Shop” numëron mbi 98 mijë ndjekës dhe promovon vazhdimisht produktet që shet. Gjithashtu edhe në finalen e “Big Brother VIP 3”, “Izmiri Shop” dhuroi bizhuteri për 4 finalistët e mbetur në garë. Pavarësisht sekuestrimit të bizhuterive nga Krimi Ekonomik dhe hetimeve që ende po vijojnë, “Izmiri Shop” vazhdon të promovojë bizhuteritë në Instagram përmes postimeve në “Story”.