TIRANË- Shumë marka të njohura ndërkombëtare të veshjeve kanë filluar të tërheqin prodhimin nga Shqipëria, për shkak të rritjes së kostove të prodhimit në vend. Ndër arsyet kryesore për këtë largim Monitor përmend: rritjen e pagave, forcimin e lekut ndaj euros, kostot e energjisë, dhe inflacionin. Marka të mëdha si New Look, Tommy Hilfiger, Calvin Klein, The North Face, Ralph Lauren, por edhe Benetton, Zalando, Zara, etj., nuk furnizohen më ose kanë reduktuar ndjeshëm bashkëpunimin me prodhuesit shqiptarë. Përballë kësaj situate, shumë kompani po zhvendosin prodhimin në vende të tjera me kosto më të ulëta, si Tunizia, Egjipti dhe Maroku, ku ofrohen kushte më të favorshme ekonomike dhe mbështetje më e madhe për industrinë fason. Në janar 2024, marka italiane Cotonella njoftoi se po zhvendoste një pjesë të prodhimit të saj në Uzbekistan. Disa kohë më parë, edhe Kral Shoes zhvendosi 30% të biznesit të saj në Tunizi dhe ka deklaruar se i gjithë prodhimi do të transferohet atje së shpejti. Gjatë 8 muajve të parë të vitit 2024, eksportet ranë me 16.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
/ZËRI