
SHKODËR- Kontrolli i policisë për të gjetur Eljon Haton, i shpallur në kërkim për dosjen Metamorfoza dhe i njohur si miku i të shumëkërkuarit Ervis Martinaj, ka përfunduar me vrasjen e një qeni dhe plagosjen e një tjetri. Siç shihet dhe nga pamjet, gjurmët e gjakut janë kudo në banesën që në fakt i përket vëllait të Hatos, Elkier Hato.
Në video shihen dhe punonjësit e policisë, FNSH dhe RENEA-s të cilët kanë hyrë për kontrolle nga muri i banesës së familjes Hato, e cila duhet thënë që është e fortifikuar. Në një intervistë të dhënë pas kontrolleve të policisë, Elkier Hato hidhte dyshime te drejtori i policisë së Shkodrës që sipas tij donte ta vriste për llogari të grupeve të tjera kriminale.
Hato pretendon se në operacion kanë marrë pjesë më shumë se 50 forca policie, FNSH, por edhe një grup i RENEA-s, me qëllim kapjen e Elion Hatos, i cili nuk u gjet në banesë. Hato akuzon shefin e komisariatit të policisë së Shkodrës Idriz Daulle si i paguar nga grupe kriminale për të dëmtuar qëllimisht familjen e tij. Elkier Hato thotë se është detyruar që të largohet nga ajo banesë për shkak se shpesh herë familja e tij është terrorizuar nga kontrollet e policisë. Hato thotë se nuk e ka idenë se ku ndodhet vëllai i tij që është i shpallur në kërkim si i dyshuar në dosjen “Metamorfoza” dhe shton se nuk dorëzohet pasi i vëllai nuk ka besim tek policia.
Eljon Hato ndodhej në lokalin Monopol mbrëmjen e 4 tetorit 2018, kur ndopdhi masakra e ish-Bllokut, ngjarje në të cilën mbeti i plagosur bashkë me Martinajn. Në maj të vitit 2014, Eljon Hato ka vrarë Indrit Yllin si edhe ka plagosur Jetmir Mollën. Një vit më pas, pasi ndodhej në burgun e Shën-Kollit Hato porositi vrasjen e mjekut radiolog të spitalit të Shkodrës, Agron Terolli, ngjarje që u parandalua./ZËRI