
DURRËS- Halil Koka dhe Ilir Koçilja kishin konflikte prej kohësh për një borxh të pakthyer. Koçilja i kishte marrë para borxh Kokës dhe nuk pranonte që t’ia kthente, pavarësisht se nipi i ish-ministrit Lefter Koka ia kërkonte vazhdimisht. Dyshja ishin fqinj me njëri-tjetrin dhe konfliktet mes tyre, ishin thuajse të përditshme, jo vetëm për borxhin, por edhe për faktin që Koka e parkonte makinën çdo ditë tek hyrja e pallatit dhe Koçilja ia kishte gërvishtur disa herë me thikë. Situata përshkallëzoi një ditë më parë kur dyshja u përleshën fizikisht dhe Koçilja e qëlloi me thikë Kokën.
Një dëshmitar tregoi se Koka kishte mbetur i shtrirë në rrugë, i gjakosur, në pritje të ambulancës. Por, pavarësisht ndihmës që iu dha, Koka ndërroi jetë rrugës për në spital. Koçilja u vu në pranga disa orë pas ngjarjes dhe në brez iu gjet thika me të cilën kishte kryer krimin.
Përpara autoriteteve, Koçilja pranoi se ia ka gërvishtur makinën me thikë disa here Kokës, pasi sipas tij, 40-vjeçari e kishte kërcënuar se do ta vriste dhe do e fuste në bagazh. Por, mohon t’i ketë pasur para borxh. Për vrasjen ai thotë se është penduar dhe se kishte menduar që vetëm e kishte plagosur.
“Me Halilin ishim fqinj. Nuk shkonim mirë me njëri-tjetrin. Ai linte makinën te hyrja e pallatit. I kisha thënë disa herë që mos ta linte aty se pengonte qytetarët që të kalonin për të shkuar në shtëpi. Kur i thashë mos e lër më makinën aty, ai më ofendoi. S’i ktheva përgjigje. Kur dola ditën tjetër e pashë makinën, po prapë të parkuar aty. Nga inati, ia gërvishta me thikë në pjesën e derës se pasagjerit dhe ika. Prapë ditën tjetër e kishte lënë aty dhe unë prapë ia gërvishta. Erdhi më kapi një ditë dhe më tha ti e ke gervishtur makinën time. Po i thashë “unë ta gërvishta”. Mos e lër më aty i thashë. Aty debatuam, kush je ti, kush jam unë. Nisi të më kërcënonte. Do të vras, do të fus në bagazh. Unë e kisha thikën me vete. E pashë që doli nga lagjia në rrugë kryesore. Iu afrova dhe i thashë “ti do më marrësh zvarrë mua dhe do më futesh në bagazh”. Ai më shau. Aty m’u errësuan sytë dhe e qëllova me thikë. Më pas u largova dhe u fsheva për disa orë te lagja 11, deri sa më kapët ju. Nuk e dija se kishte vdekur. Mendova se e plagosa. Nuk kam asnjë konflikt tjetër me atë. As i kisha borxh para dhe as më kishte. Me vjen shumë keq për ate që ndodhi, jam penduar. Po konfliktin e nisi Halili,”- ka deklaruar ndër të tjera Ilir Koçilja.