
SHBA- Amanda Bynes ka qenë fytyra më e dashur e gjigandëve Disney dhe Nickelodeon në vitet 2000, edhe pse në një moshë fare të re. Amanda ishte kudo;në filma, emisione, reklama. Me një buzëqeshje ngjitëse dhe sy rrëzëllitës, ajo u kthye shumë shpejt në “më të dashurën e Amerikës”. Mund t’a mbani mend nga filmat “What a girl wants”, “She’s the man”, “Easy A” apo “ Hairspray”.
Megjithëse në kulmin e karrierës së saj, me me një bazë fansash goxha të gjerë dhe me të ardhura të mira, Bynes jo domosdoshmërisht ishte e lumtur dhe e shëndetshme mendërisht.
Karriera e saj e ndërtuar aq mirë dhe në mënyrë organike, mori fund me një kërcitje gishtash, me anë të një postimi në Twitter.
“Të jesh aktore nuk është aq qejf sa duket. Nëse nuk e dua më diçka, nuk e bëj më. Nuk e dua më aktrimin, prandaj po ndaloj. E di që mosha 24-vjeçare është shumë herët për të dalë në pension por e dëgjuat këtu (në llogarinë e saj) si fillim,”- shkroi ajo në Twitter në vitin 2010 duke i dhënë fund karrierës.
Pas kësaj, duket se jeta e saj filloi të merrte për keq në çdo aspekt të mundshëm.
Në vitin 2012 Bynes pati përplasjen e parë me ligjin, pasi përplasi makinën e një polici në orën 3 të mëngjesit në Hollivudin Perëndimor. Në po të njëjtin vit, ajo u dënua për dy raste të shkaktimit të një aksidenti, dhe largimit nga vendngjarja. Varësia ndaj drogës, të cilën ka pranuar publikisht që e ka filluar në moshën 16 -vjeçare, ishte një tjetër arsye pse përfundoi në pranga. Fqinjët e pallatit “kapën mat” Amandën teksa tymoste marijuanë në korridorin e ndërtesës dhe e denoncuan në polici.
Me syze, paruke dhe veshje sportive, ajo u paraqit në gjykatë. Askush nuk arrinte t’a njihte.
Viti 2012 ishte i çuditshëm për Bynes, sepse vazhdimisht postonte në Twitter statuse të papërshtatshme, madje në njërin prej tyre, quante Michelle dhe Barack Obama-n, “të shëmtuar”. Në vitin 2013 Bynes u regjistrua në një qendër psikiatrie pasi i vuri flakën oborrit të një gruaje të moshuar.
Sërish në vitin 2014, pas publikimit të disa “tweet-eve” ku akuzonte babanë për ngacmim seksual. Më pas ajo u diagnostifikua me bipolaritet.
Pas gjithë dramave, Amanda dha një intervistë për “Paper Magazine” në vitin 2018, ku tregoi për përdorimin e drogës si edhe sa turp i vinte nga statuset që dikur postonte.
Bynes i dha një mundësi botës së kozmetikës, dhe po punon të jetë një artiste thonjsh. Megjithatë, duket se nuk i ka lënë pas “çmenduritë” e vjetra, sepse në mars të vitit 2023 u shtrua sërish në një qendër psikiatrie në Los Angeles, pasi u pa të shëtiste rrugëve lakuriq!/ZËRI