
GAZA – Një shpërthim i fortë në kampin e refugjatëve Jabalia, në veriun e Gazës, ka vrarë dhjetëra persona. Zyrtarët e Hamasit kanë akuzuar për këtë sulm Izraelin, ndërsa ushtria izraelite ende nuk ka bërë një koment për këtë ngjarje. Ende nuk ka një numër të saktë të viktimave, por agjencia e lajmeve AFP raporton se dhjetëra trupa të pajetë u gjetën në kamp, pasi ndodhi shpërthimi.
Ragheb Aqal, një banor, tha se kanë dëgjuar një zhurmë kaq të fortë, saqë dukej sikur po binte tërmet i fuqishëm. Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi deklaroi se nga ky shpërthim, së paku 50 njerëz kanë vdekur. Pamjet nga vendngjarja kanë treguar ndërtesa të rrafshuara dhe trupa, që po nxirren nga rrënojat.
Historiku i kampit Jabalia
I vendosur në veri të qytetit të Gazës, kampi Jabalia është më i madhi nga tetë kampet e refugjatëve të Gazës. Në këtë kamp ishin vendosur në korrik 2023, mbi 116 mijë palestinezë. Refugjatët filluan të vendoseshin në kamp që pas luftës së vitit 1948. Është një zonë e vogël, por me popullsi të dendur, me vetëm 1.4 km katrorë dhe përbëhet kryesisht nga ndërtesa banimi.
Jabalia ka 26 shkolla, një qendër shpërndarjeje ushqimore, dy qendra shëndetësore, një bibliotekë dhe shtatë puse uji. Së bashku me kampin Shati, Jabalia shtrihet në zonën, që Izraeli e ka shpallur zonë evakuimi. Aktualisht dy vendet kanë hyrë në ditën e 24 të luftës që nisi pasi Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa përgjigja ishte e menjëhershme. Më tepër se 10 mijë njerëz, kanë vdekur, nga sulmet e të dyja palëve./Zëri.ai