
TIRANË- Është zhvilluar mes tensionesh numërimi i votave në KZAZ-në nr.40 në njësinë numër 9 në Tiranë, që është ngritur në shkollën “Sami Frashëri”. Partia “Mundësia” me në krye Agron Shehajn akuzuan grupin e numërimit se po shpallnin qëllimisht të pavlefshme votat e tij, në mënyrë që të mos e merrte mandatin e deputetit. Numëruesit kanë pretenduar se tre fletë votimi kanë pasur ngjyrë tjetër nga fletët e tjera të votimit dhe ndaj i kanë shpallur të pavlefshme. Por, Shehaj ka bërë një krahasim të ngjyrave duke zbuluar se në të njëjtën kuti ka pasur tre lloje nuancash të së njëjtës ngjyrë, por në fakt ishin penalizuar vetëm votat e tij. Të pranishëm në këtë përplasje ishin edhe efektivët e policisë dhe gazetarët. Shehaj lajmëroi kryekomisionerin Ilirjan Celibashi dhe pas ndërhyrjes nga Komisioni, fletët e Shehajt u numëruan si të vlefshme. Kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i cili ka qenë prezent në këtë njësi ka deklaruar se në fakt bëhet fjalën për metodën e trenit bullgar dhe se do e kontestojnë kutinë në fjalë.
/ZËRI