
TIRANË- Seanca parlamentare është zhvilluar sot mes tensioneve. Deputetja demokrate Ina Zhupa u përplas me deputetin Erion Braçe pasi ky i fundit e etiketoi si ‘ruse’ dhe i tha të priste thonjtë e të mos lyhej me parfum. Në momentin që Zhupa mori fjalën në kuadër të interpelancës me ministren Ogerta Manastirliu për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani, iu përgjigj dhe Braçes, të cilin e quajti ‘kone’. Debate pati edhe për propozimin e Partisë Socialiste për projektligjin e faljes së gjobave për ndërtimet pa leje. Opozita kundërshtoi, duke akuzuar mazhorancën se ligji po hartohej në moment dhe nuk kishte asnjë shkresë. Debatet pasuan dhe me bllokimin e foltores, ku garda ndërhyri. Maxhoranca më pas u largua nga salla. Bardhi kërkoi interpelancë me kryeministrin Edi Rama, duke i bërë apel kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali që të ndërpriste seancën dhe të thërriste kreun e qeverisë. Por, Spiropali tha se kryeministri nuk mund të jetë në Kuvend sot për shkak të agjendës. Më pas si çështje të dytë kreu i grupit të Partisë Demokratike, kërkoi të vihen në dispozicion draft-opinioni i Komisionit të Venecias për mandatin e Olta Xhaçkës, ndërsa Spiropali tha se nuk ka një dokument zyrtar nga Komisioni i Venecias. Mes debateve të forta, Spiropali mbylli seancën.