
BREZOVICË - Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e së martës në Brezovicë, ku një shtetase amerikane ndërroi jetë. Mediat e Kosovës raportuan se turistja nga SHBA ka humbur jetën, pasi e ka zënë përsipër një ortek dëbore.
Ditën e sotme, kanë dalë pamjet, kur dy skiatorë tërheqin viktimën. Siç mund të shikohet edhe në pamje, skiatorët e tërheqin turisten që ndërroi jetë me rrjetë.
“Më datë 13.02.2024, rreth orës 15:35, kemi marrë një informacion se një person dyshohet se ka mbetur i vdekur gjatë skijimit në Qendrën e Skijimit në Brezovicë, në vendin e quajtur ‘Foleja e Shqiponjës’. Dyshohet se shkak i këtij incidenti ka qenë rrëshqitja e një orteku të borës”, ka thënë mbrëmë për rastin, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli./ZËRI/