TIRANË-Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e shkarkimit nga detyra si kryebashkiak të Erion Veliajt, duke rrëzuar kështu vendimin e qeverisë. Përmes një postimi në platformën X, Rama e nis duke sqaruar edhe një herë se nuk i ka kapur të gjitha pushtetet. Kreu i qeverisë ka ironizuar vendimin e Kushtetueses, pasi sipas tij, i zgjedhuri për të drejtuar Bashkinë e Tiranës është i arrestuar, dhe në kushte të tilla, ai kërkon që Veliaj të vijoi gjyqin në gjendje të lirë. Rama kërkon zgjidhjen e ngërçit të krijuar, teksa Veliaj duhet të vijojë drejtimin e kryeqytetit nga burgu, ndërsa thekson se me mos lejimin e zgjedhjeve, Tiranës po i bëhet një dëm i madh. Gjykata Kushtetuese e shpalli më datë 3 nëntor vendimin për Veliajn, i cili vjen pas përballjes mbi 7 orë seancën publike të 31 tetorit, ku ishte i pranishëm edhe vetë kryebashkiaku i cili u përball me kryeministrinë dhe presidencën, njëra që firmosi shkarkimin e tij, e tjetra që dekretoi zgjedhje në kryeqytet.
/ZËRI