TIRANË- Eshtë vetëdorëzuar në Polici, Erjon Rama, një nga personat e akuzuar si pjesë e grupit kriminal të Luçiano Koçekut. Ndaj tij ishte lëshuar masa “arrest në shtëpi”. Rama është nipi i Fatmir Ramës i njohur si “Mirit i Xhikes” dhe rezulton pjesë e grupit kriminal të goditur nga SPAK më 12 qershor, ku në kuadër të operacionit u lëshuan 20 masa sigurie. Erjon Rama së bashku me vëllain e tij, Adrian Rama dyshohet se pastronin paratë e grupit kriminal të trafikut të drogës drejtuar nga Luçiano Koçeku. Në kuadër të aksionit vëllezërve u janë sekuestruar vila në Palasë, Jalë e Rolling Hills si dhe dhjetëra llogari bankare. Bazuar hetimeve në dosjen e SPAK, Erjon Rama ka qenë pjesë e takimeve të shpeshta në harkun kohor 2018 -2021, për të koordinuar veprimet për trafikun e drogës, por dhe mënyrat për të investuar në Shqipëri. Konkretisht Rama ka qenë në Monako, ndërsa është identifikuar brenda një automjeti, së bashku me biznesmenin e shpallur në kërkim, Artur Shehun dhe vëllain e tij Adrian Rama. Të tre kanë udhëtuar më pas drejt ishullit të Majorkës.
/ZËRI