TIRANË-ZËRI ka siguruar momentin e vrasjes së Artan Myrtaj mëngjesin e 20 shtatorit në Sarandë. Në imazhet e siguruar nga ZËRI, autori shfaqet i veshur me një xhup në ngjyrë jeshile, pantallona të zeza dhe me skafandër në kokë, ndërsa në motor ndodhet bashkëpunëtori i tij. Në momentin e atentatit, ekzekutori ka dy armë në duar. Siç shihet në videon e siguruar nga ZËRI, autori i zë pritë viktimës sapo ky i fundit çohet nga lokali, por arma e parë duket se i bllokohet. Në atë moment, Myrtaj tenton të largohet me vrap, ndërsa autori e ndjek për disa metra dhe e qëllon nga afër me armën e dytë. Ndërkohë, drejtuesi i motorit ndjek nga pas autorin dhe qëndron në gatishmëri për largimin e tij nga vendngjarja. Ndërkohë, pesë ditë nga ngjarja ende nuk ka asnjë gjurmë nga autorët, ndërsa lidhur me atentatin janë marrë në pyetje rreth 20 persona që ndodheshin në zonë në momentin e ngjarjes, por asnjë detaj për identifikimin e tyre.
/ZËRI