TIRANË-Sot në Ditën e Punëtorëve, Unioni i Sindikatave ka dalë në protestë para ministrisë së Ekonomisë dhe kryeministrisë, duke kërkuar paga më të larta dhe siguri në punë. “Jeta e punëtorit nuk është kosto biznesi”, “Pagë për të jetuar, jo për të mbijetuar” janë thirrjet në disa prej pankartave që mbahen duar nga qytetarët. Qytetarët kërkojnë nga institucionet siguri në vendet e punës, paga më të larta si dhe një ministri Pune.
“Siguri në punë, minimum jetik. Sot më shumë se kurrë kjo qeveri, këto institucione duhet të mendojnë për punëtorët dhe shtresat në nevojë. Çfarë kosto jetesë është të jetosh në Shqipëri? Kostoja është si të jetosh në Francë, por pagat janë shumë më të ulëta”, tha përfaqësuesi i Unionit.
"Sot nuk do të themi fjalë të bukura, por do të kërkojmë të drejtat tona, të drejtat e punëtorëve. Mblidhemi jo vetëm për të kujtuar historinë e 1 majit, por për të kërkuar të ardhmen që meritojmë. Është thirrje për drejtësi, barazi, për të drejta në punë. Sot është rritur numri i vdekjeve në vendin e punës me 45% krahasuar me një vit më parë. Është dyfishuar numri i aksidenteve në punë. Institucionet përgjegjësve nuk bëjnë kontrolle reale. Duhet të ketë një ministri Pune, veçanërisht për punëtorët. 1 maji është protestë, jo festë. Jo vdekje në punë. Duam siguri. Duhet të miratohet në parlament minimumi jetik.”, tha ndër të tjera Kondi Lija, drejtor i Unionit të Sindikatave të Shqipërisë.
1 Maji njihet ndryshe si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve. Kjo ditë simbolizon luftën për të drejtat e punës, kushte më të mira në vendin e punës dhe barazi sociale. Qëllimi i kësaj dite është të rrisë ndërgjegjësimin për të drejtat e punëtorëve, të ndalojë shfrytëzimin dhe të promovojë paga të barabarta dhe kushte të përmirësuara pune./ZËRI