TIRANË-Gjykata e Apelit të Tiranës ka dënuar me 12 vite burg të riun Axel Hoxhaj duke zbritur 6 vite nga vendimi I Shkallës së Parë që e dënoi me 18 vite heqje lirie. Ulja e dënimit ka shkaktuar tension në gjyq, ku policia ka bërë shoqërimin në komisariat të familjarëve të të ndjerit Stiven Toshkesi. Aktualisht në komisariat ndodhen nëna e të riut Toshkesi, vëllai dhe kunata.
Fajtor për "moskallëzim krimi” është shpallur edhe Ensi Maze, miku i Hoxhajt, i cili ishte gjithashtu prezent në momentin e vrasjes të të riut.
20-vjeçari, Stiven Toshkësi u vra më 18 Prill 2024 në orën 00:35 në Rrugën ‘4 Dëshmorët’ në kryeqytet, pranë gjimnazit "Partizani". Toshkesi ndërroi jetë në spital, pasi nuk i mbijetoi dot plagëve të marra. Shkaku i ngjarjes së rëndë fillimisht u raportua konflikti për një vajzë. Viktima ka qenë duke u kthyer nga puna bashkë me një shokun e tij, ndërsa atentatorët i kishin ngritur pritë. Goditja që 20-vjeçari mori nga Aksel Hoxhaj, rezultoi fatale dhe ai humbi jetën në spital si pasojë e plagëve të marra. Megjithatë pak javë pas vrasjes doli dhe një tjetër konflikt i të riut. Konflikti për një vajzë ka nisur me një person tjetër. Bëhet fjalë për Arbëri Murataj, djali i famëkeqit Admir Murataj, i cili mbeti i vrarë në grabitjen e Rinasit në prill të vitit 2019 ku qëlloi me armë drejt Policisë.
Arbër Murataj i kishte ngacmuar të dashurën dhe më pas e ka marrë në telefon Toshkësin për t’u sqaruar. Për të shuar gjakrat, të dy janë takuar në rrugën e Elbasanit, pranë shkollës së Baletit, por aty viktima është qëlluar për herë të parë me hanxhar. Toshkesi ka arritur të mbrohet dhe të plagoset lehtë në bark dhe është larguar nga vendi i ngjarjes, por nuk ka bërë denoncim në polici pasi është kërcënuar me jetë nga Murataj. 2 muaj më vonë, më 18 prill ai u vra po me hanxhar, nga Axel Hoxhaj, i cili rezulton të ketë lidhje të afërt familjare me Arbëri Muratajn, ndërsa Maze ndodhej po ashtu në vendin e ngjarjes dhe mbajti brenda mjetit shokun e viktimës, në mënyrë që të mos e ndihmonte.
