Aktualitet

Thirrja për "21 Janarin", Berisha: Hetim politik, por nesër do paraqitem në SPAK

Berisha akuzoi Ramën si organizatorin e protestës së 21 janarit, për të cilin tha se ishte tubim i dhunshëm në përpjekje për të pushtuar Kryeministrinë. 

zh.ll
Thirrja për "21 Janarin", Berisha: Hetim politik, por nesër
sali berisha

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka deklaruar se do të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme për të dëshmuar si person në dijeni për dosjen e 21 Janarit, pasi refuzoi dy thirrjet e mëparshme. Berisha akuzoi Ramën si organizatorin e protestës së 21 janarit, për të cilin tha se ishte tubim i dhunshëm në përpjekje për të pushtuar Kryeministrinë. 

“Do të shkoj, nesër do të jem aty, Është hetim politik pasi kjo çështje ka qenë e hetuar. Por nuk jam thirrur, nuk jam marrë në pyetje, nuk u leverdiste të më thërrisnin sepse isha njeriu i sulmuar, i rrethuar. Sigurisht që do të shkoj, kam qenë 5-6 orë në rrethim në përpjekje për të pushtuar Kryeministrinë. Ishte protesta më e dhunshme në historinë e vendit, qindra mijëra gurë u hodhën drejt gardistëve, ligji e përcakton qartë qëndrimin e rojës, janë hedhur eksplozivë drejt tyre, u përdorën makina për të thyer derën.", u shpreh Berisha.

Një ditë më parë, SPAK njoftoi fletëthirrjen e tretë për Berishën për t'u paraqitur në SPAK, ndërsa kryedemokrati 'refuzoi' sërish, duke argumentuar se do të jetë me angazhime jashtë shtetit. Në këto kushte, SPAK në një tjetër njoftim bëri me dije një tjetër datë për paraqitjen e Berishë, nesër në orën 09:00. Ndërkohë që një javë më parë, ish-kryeministri refuzoi të paraqitej me pretendimin se nuk kishte marrë fletëthirrje.

Ish-kryeministri Berisha do të pyetet si person në dijeni në lidhje me 21 janarin 2011, ku u vranë 4 protestues në bulevard. Më herët, në SPAK është paraqitur edhe Lulzim Basha, asokohe ministër i Brendshëm i kabinetit qeveritar të Berishës.

Çfarë ndodhi më 21 janar?

Një protestë e thirrur nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë doli jashtë kontrollit dhe do të përfundonte me vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës para Kryeministrisë, pas të shtënave me armë zjarri ng Garda e Republikës. Partia Demokratike, në qeveri do e cilësonte tubimin si grusht shtetit dhe krim shtetëror. Nga 2011 deri më sot, dosja e 21 janarit është ende në gjykatë. Në lidhje me ngjarjen u morën të pandehur Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg. Familjarët e viktimave prej 13 vitesh kërkojnë drejtësi ndërsa akuzat politike rishfqen para çdo fushate elektorale./ZËRI

Poll

MOS HUMB