Aktualitet

Plagosja e 14-vjeçarit në Maliq! Gjyshja e autorit: Ishte thikë që qëronim mollë, na thanë nuk ju lë të gjallë

Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme, në hyrje të fshatit Sheqeras.

k.m.
Plagosja e 14-vjeçarit në Maliq! Gjyshja e autorit: Ishte thikë
Foto ilustruese

MALIQ- Një sherr mes dy djemve të mitur ka përfunduar me një plagosje me thikë në Maliq. Dy adoleshentët mësohet se janë zënë për motive të dobëta, por nuk ka qenë as hera e parë që dy adoleshentët konfliktoheshin me njëri-tjetrin. Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme, në hyrje të fshatit Sheqeras. Autori është kapur nga Policia dhe ka pretenduar se ishte adoleshenti ai që e ngacmonte herë pas here me fjalë, e pikërisht për këtë arsye ishin konfliktuar sërish.

"Rreth orës 13:40, në fshatin Sheqeras, Maliq, një 14-vjeçar ka dëmtuar me mjet prerës thikë një 16-vjeçar, i cili po merr mjekim në spital, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes,"-njoftoi Policia.

Nërkohë një reagim të gjyshes së autorit për Ballkanweb, ajo u shpreh se familjarët e djalit të plagosur nuk donin që të shkonin në spital. Gjyshja, Arefije Kora pohoi se thikën nipi duhet ta ketë marrë në shtëpi, pasi ishte nga ato që qëronim mollë. Sipas saj, 16-vjeçari e tallte dhe ofendonte nipin e saj gjatë gjithë kohës, por nuk janë ankuar asnjëherë. 

“Unë isha në shtëpi, vjen djali që nga shkolla, nuk e di a vajti në shtëpi a nuk vajti se unë djalin e kam të ndarë. Më tha: Nëna u zura me atë djalin që më tallte shumë. Nuk pandeha që ishte bërë kaq e madhe. Më tha unë kisha atë thikën, ai më shtriu në tokë, unë nuk do e godisja, por nuk e di si e zuri thika. Unë nuk e mora për atë thikën. Ai më shtriu i pari në tokë, unë lëviza dhe atë e zuri thika. Nga këtu shkova tek i ati i tij, më doli gjyshja e tij, i tregova. Ajo po thërriste, ka të drejtë, nuk i zemërohem dot. Më tha djalin e plagosur e çuam në Korçë, o bëhet, o nuk bëhet. Marrim taksinë për të shkuar në Korçë, rrugës marrim gjyshin e djalit dhe e pyesim si është, se jemi nisur. Ne djalin e kemi në Korçë na tha po mos hajdeni se po erdhët do bëhet e madhja, do vritemi, nuk ju lë të gjallë. U kthyem, gjetëm policinë, i pyetëm, na thanë po kërkojmë thikën. E tallnin shumë djalin, më shumë pa shkollë djali, se me shkollë. Ca e tallnin andej, ca i thoshim do shkosh në shkollë se s’bën. Më tallnin thoshte po se përse, nuk e di. Ju kam vajtur në shtëpi, nuk e di unë e shkreta. Nuk janë shokë klase. Ne ankoheshim te këta, djalin e tallte dhe vinte në shtëpi duke qarë. Ne familjarët na thonin do i flasim djalit dhe do e zgjidhim. Ju thoja po na mbetet djali pa shkollë, djali është në klasë të shtatë. I thoshim shko te mësuesi, kap edhe drejtorin. Një thikë të vogël kishte, e gjeti policia, nga shtëpia do e ketë marrë. Thikë e shtëpisë ishte, një që qëronim mollë. Unë nuk e dija që ishin zënë, po bëja drekën kur erdhi ai duke qarë. Unë po i thoja çfarë na bëre, ai u hutua më shumë. Shyqyr që është djali mirë, në radhë të parë për ata, por edhe për ne. Ata e kanë në dorë, mos zien as me nusen, as me djalin, mos i dalin djalit përpara t’i thonë ç’mi bëre djalit. Këtë duam ne. Ne në shkollë nuk jemi ankuar, te prindërit e djalit kemi shkuar. Ky djali e shante gjithmonë, për këtë ankohej” – u shpreh gjyshja e autorit.

Ndërkohë edhe nëna e djalit ka thënë se ata ziheshin shumë dhe ka pasur dhe herë të tjera debate mes dy adoleshentëve. Ajo thotë se djali kishte ardhur në shtëpi para sherrit, por nuk e kishte parë nëse ai kishte marrë thikën me vete. Më pas, nëna e autorit thotë se lajmin e mori vesh nga policia.

“Erdhi nga shkolla dhe tha do iki të luaj me fëmijët. Nuk e dija, se isha në shtëpi, sa dola te rruga ma thanë që është zënë. Mora vesh që është zënë me thikë, por për djalin nuk e di se si është tani. Ziheshin shumë me atë djalin, dilnin me shokët, por ziheshin shumë, kishte shumë debate me atë djalin. Ai e tallte djalin. Ai ka folur me familjen, por prapë janë zënë sot. Familja na ka thënë nuk do kini asnjë grindje, mos u shqetësoni. Ne njihemi si familje, thanë nuk do keni më shqetësime, por prapë u zunë sot. Në mëngjes djali ishte në shkollë. Rreth orës 2 do ketë qenë kur erdhi. Unë nuk e pashë nëse mori gjë nga shtëpia, thjesht kur më thanë që është zënë me thikë. Ishte shumë i shqetësuar. Në atë moment erdhi dhe policia dhe thanë që duhet të gjejmë thikën. Nuk erdhi në shtëpi direkt pas konfliktit, erdhi më pas. Ishte te gjyshja, më pas erdhi te unë, në momentin që erdhi edhe policia. Në ato momente policia e mori në pyetje dhe e mori me vete, tha duhet të gjejmë dhe thikën. Ai tha ishte një thikë e vogël, nuk më tha ku e kishte marrë. I tha policisë, ishte një thikë e vogël, e hodha se u frikësova. Me shokët e klasës shkon mirë, me një që ka pasur debat e kanë zgjidhur. Në shkollë shkon rregullisht. Nuk kam mundur të flas me familjen e djalit. Do i thoja familjes së djalit, të qetësoheshim dhe ta zgjidhnim këtë problem, se janë fëmijë dhe do shkonin shumë gjëra më keq.”-tha nëna e autorit.

Sa i përket të plagosurit, 16-vjeçari ka marrë goditje me thikë në pjesën e barkut dhe të shpatullës, por sipas mjekëve fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën./ZËRI

Poll

MOS HUMB